2010-07-07 17:30:37

Kardinali Bertone kremtoi 50-vjetorin e meshtarisë: mision vërtet i bukur e i pashoq.


(07.07.2010 RV)U mbushën 50 vjet meshtari për kardinalin Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit. E këtë jubile e kremtoi me një Meshë, kryesuar në bazilikën e Vatikanit.
Duke kujtuar rrugën e gjatë 50 vjeçare, Kardinali tha me emocion: “U zgjodha për një detyrë tejet të bukur, që nuk mund të krahasohet me asgjë: me detyrën e meshtarit, në shërbim të Kishës, në miqësi të ngushtë me Jezusin. Më pas, gjatë homelisë, nënvizoi tri arsyet, që e shtynin për të falënderuar Zotin:
“Si meshtar e si ipeshkëv, e provova shumë herë bukurinë e forcën e Ungjillit të Krishtit, që është vërtetë i aftë për t’i a ndryshuar jetën njerëzve”.
Një mision i pashembullt, ky i meshtarit, por pse?
“Pse u jep shpresë njerëzve; kumton se Zoti është i mirë; lehtëson dhimbjet e atij që vuan; i kujton Qiellin, atij që tronditjet e tokës e zhysin në trishtim. Kush është meshtari – pyeti në përfundim kardinali. Përgjigjja, theksoi, është vetëm një: prifti është njeri i dashuruar me Jezu Krishtin, është miku i Krishtit, të cilin e do, e pret, e takon, e lavdëron, e lut".







All the contents on this site are copyrighted ©.