2010-07-07 16:37:06

Benedikti XVI u shkrua i pari në listën e pjesëmarrësve të DBR-së.


(07.07. 2010 RV)Benedikti XVI u shkrua i pari në listën e pjesëmarrësve të Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Madrid të Spanjës, nga 16 deri më 21 gusht 2011. Regjistrimet, që u hapën zyrtarisht më 1 korrik, vijojnë me shumë sukses. Që tani shprehën dëshirën për të marrë pjesë, më se 600 mijë të rinj nga vende të ndryshme: 120 mijë italianë, 70 mijë francezë, 50 mijë polakë e 25 mijë veriamerikanë. Regjistrimi, njofton një notë, mund të bëhet në çdo orë të ditës e të natës, përmes internetit, nga të katër anët e botës. Sistemi informatik mund të përdoret në pesë gjuhë: spanjisht, anglisht, frengjisht, italisht e polonisht. Lidhja mund të bëhet edhe me telefon, në gjuhën angleze e spanjolle. Të rinjtë, që dëshirojnë të jenë të pranishëm në festën e tyre botërore, mund të regjistrohen sipas katër profileve: si individë, si grupe, si autoritete e si gazetarë. Mund të regjistrohen për gjithë javën ose për fundjavën e festës, ndërsa organizatorët do të mendojnë për t’u siguruar strehën e ushqimin. Regjistrimi ka shumë rëndësi, sepse duam që të rinjtë të gjejnë kushte të mira, nënvizon imzot Qesar Franko, koordinator i përgjithshëm e ipeshkëv ndihmës i Madridit, prandaj duhet ta dimë sa të rinj do të vijnë e sa kanë nevojë të strehohen, të ushqehen e të kenë hapësira të mjaftueshme kulturore për veprimtaritë e tyre.
Solidariteti është një nga elementet kryesore të regjistrimit në DBR. Çdo pjesëmarrës mund të shtojë 10 euro ose më shumë, si kontribut për Fondin e Solidaritetit. E kjo, sepse Ditët Botërore janë për të gjithë, jo vetëm për të pasurit, shton imzot Franko. Kush ka më shumë mundësi ekonomike, duhet t’i ndihmojë edhe të tjerët: solidariteti është kyçi i DBR-së. Rregullat e regjistrimit përfshijnë të gjitha elementet e nevojshme për të kaluar ditë vërtetë të paharrueshme. Pjesëmarrësit do të jenë të siguruar në rast aksidenti, do të kenë të gjitha mjetet e nevojshme publike gjatë javës së Ditës Botërore, do të pajisen me çantën e shpinës, që ka brenda bluzën, kapelen, udhërrëfyesin e Madridit, librecin për ceremonitë dhe lejën për të hyrë falas në veprimtaritë kulturore e në zonat e kremtimeve kryesore.







All the contents on this site are copyrighted ©.