2010-07-06 15:45:33

Papa fillon nesër periudhën verore në Kastel Gandolfo.


Nesër, menjëherë pas audiencës së përgjithshme që do të mbahet në Vatikan, Papa Benedikti XVI do të transferohet në pallatin apostolike në Kastel Gandolfo për një periudhë pushimi, leximi e lutjeje. Gjatë kësaj kohe verore do të pezullohen audiencat private e të veçanta.
Prandaj audiencat e përgjithshme për të mërkure nuk do të mbahen më datën 14, 21 dhe 28 korrik e do rifillojnë rregullisht duke u nisur nga data 4 gusht.
Për të dielash e festash gjatë periudhës verore, lutja e Engjëllit të Tënzot në mesditë do të mbahet në rezidencën apostolike të Kastel Gandolfit, ku këtyre orëve po rritet edhe numri i personelit për pritjen e Papës.
Në mikrofonin e Radio Vatikanit të dëgjojmë drejtorin e Pallatit Apostolike në Kastel Gandolfo, Saverio Petrillo:
“Personeli i Pallatit Apostolik dyfishohet për shkak të rritjes së punës e shihet qartë edhe entuziazmi, gëzimi e pasioni që kanë punëtorët gjatë përgatitjeve për arritjen e Atit të Shenjtë”.

Një arritje në një vend që ishte rezidencë perandorake, në kohën e Domicianit, e pastaj është bërë pallat papnor...
“Tashmë janë katër shekuj që Papët transferohen këtu për periudhën verore në rezidencën e Kastel Gandolfit që kur Papa Urbani VIII e vendosi selinë e përhershme për pushime të Papëve në mënyrë që për kohën e pushimeve të tyre të mos kishin nevojë të shkonin në banesa të tjerëve. Prandaj është bërë tashmë traditë që një periudhë verore të kalohet këtu”.

Një traditë të cilën Benedikti XVI e rifilloi apo vazhdoi menjëherë pas zgjedhjes së tij në selinë e Pjetrit. Në të vërtetë, më 5 maj të vitit 2005 Papa shkoi në Pallatin Apostolik.
“E kujtoi atë pasdite me shumë kënaqësi e me gëzim të madh, vërtet. Duhet të them se Papa u gjet shumë mirë e në përkim me natyrën e kësaj rezidence”.







All the contents on this site are copyrighted ©.