2010-07-06 16:38:10

Nesër në Vatikan Benedikti XVI do të bekojë shtatoren e Shën Hanibal Maria të Francës, vepër e skulptorit Ducrot


Nesër paradite Ati i Shenjtë Benedikti XVI në 10.15, përpara audiencës së përgjithshme do të bekojë shtatoren e Shën Hanibal Maria të Francës, të skulptorit roman Xhuzepe Dykro, vendosur në nishën e jashtme të bazilikës së Shën Pjetrit, afër Harkut të Këmbanave. Më pas, kremtimi eukaristik në altarin e Katedrës së Shën Pjetrit, kryesuar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone, në prani të një grupi të dendur të Etërve Rogacionistë dhe të Bijave të Zellit Hyjnor, themelues i të cilëve është pikërisht Shën Hanibal Maria i Francës.
Mbi veçoritë e kësaj shtatoreje në mikrofonin tonë flet eprori i përgjithshëm i Etërve rogacionistë Atë Xhorxho Nalin:

 
Përgjigje: Kjo është një shtatore e thjeshtë, klasiciste që i përshtatet mirë strukturës arkitektonike të bazilikës. Atë Hanibali para qitet me ungjillin në dorë, të hapur tek faqja ku Jezusi iu thotë dishepujve t’i luten Hyjit të dërgojë punëtorë [sepse të korrat janë të mbara, por punëtorët të paktë].

Pyetje: Po pse meriton një shtatore Shën Hanibal Maria i Francës në Shën Pjetër?

Përgjigje: Pikësëpari, sepse këtu janë nishat ku gjenden edhe themeluesit e urdhërave të tjerë, meqë edhe ai ka themeluar dy urdhëra rregulltare. Pastaj ka qenë, sikurse është shprehur edhe Papa në shenjtërimin e tij, një mjeshtër për baritorinë e thirrjeve, duke nënvizuar uratën si mjet kryesor për të pasur thirrje të vërteta. Tjetër pastaj, ai ka mësuar edhe sesi të bëhemi thirrje, pra t’i përgjigjemi thirrjes së Zotit dhe iu ka mësuar dishepujve të tij të jenë të vëmendshëm në dashurinë ndaj të vegjëlve dhe të varfërve.

Pyetje: Me një fjalë, ky monument është i rëndësishëm për Etërit Rogacionistë dhe të Bijat e Zellit Hyjnor, apo jo?

Përgjigje: Sigurisht që të kesh në zemër të krishterimit shtatoren e themeluesit është një dhuratë e madhe që i bëhet punës sonë. Në një farë mënyrë, pastaj, është edhe shenjë e dashurisë së madhe që Atë Hanibali ka pasur për Atin e Shenjtë dhe këtë dashuri e këtë devocion ua ka mësuar edhe bijve të vet. Më tej, kjo është edhe një skulpturë që paraqet një lloj të veçantë shenjtërie, që është ajo që ai e ka shprehur gjatë gjithë jetës së tij. Gjithashtu shtatorja është në një farë mënyrë edhe ikona e gjallë e rogacionistit, të atij që lutet pra, e që tashti është në qendër të krishtërimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.