Vazhdon kalvari i bashkësisë së krishterë në Mosul, qyteti më i rrezikshëm i Irakut.
Dje u ekzekutua, në kuptimin e vërtetë të fjalës, një tjetër i krishterë: Behnam Sabti,
54 vjeç, siro-ortodoks, i cili punonte si infermier në spitalin shtetëror Al Xhumhurija
të Mosulit. Një bombë që ishte vendosur poshtë makinës së tij, shpërtheu, ndërsa viktima
po udhëtonte. Burime të AziaNjuz në vend njoftojnë se motivi i vrasjes është pikërisht
përkatësia fetare e viktimës.
I martuar dhe me tre fëmijë, Sabti do të varroset
në fshatin e tij të lindjes në Bashika. Sipas të dhënave më të fundit, të bëra publike
në fund të qershorit nga ministritë irakiane të Mbrojtjes, të Shëndetit dhe të Brendshme,
dhuna në shkallë kombëtare ka rënë. Pavarësisht nga kjo, njerëzit kanë ende frikë
dhe vazhdojnë të jetojnë në tmerr. Numri i irakianëve të vrarë në qershor zbriti në
284 në krahasim me 437 të qershorit 2009. “Nëse Iraku është në vendnumëro për shkak
të tejzgjatjes së bisedimeve politike për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve
të 7 marsit të kaluar, Mosuli po përjeton një situatë pasigurie” – njoftojnë burimet
e AziaNjuz.
Dy janë llojet e terrorizmit në Irak sot për sot: nga njëra anë
aktet e dhunës kundër banorëve shiitë dhe pakicave, dhe nga ana tjetër terrori xhihadist
kundër trupave amerikane dhe aleatëve të tyre të ushtrisë irakiane. Rrugët e Mosulit
patrullohen nga ushtria amerikane, rreth 18 bataljone të ushtrisë irakiane janë të
shpërndara në të gjithë qytetin, bashkë me qindra policë dhe postblloqe, e megjithëkëtë,
situata mbetet tepër e pasigurt, siç tregojnë vetë oficerët amerikanë. “Problemet
do të shtohen kur SHBA të tërhiqen përfundimisht nga vendi.” – deklaroi për AziaNjuz
anëtari i këshillit krahinor Didar Abdulla Al-Zibari.