2010-07-05 17:30:29

Pedofilia: ipeshkvi i Melburnit kërkon ndjesë pa asnjë rezervë!


(05.07.2010 RV)Kryeipeshkvi katolik i Melburnit, imzot Denis Hart, u kërkoi ndjesë ‘pa asnjë rezervë’ viktimave të shpërdorimeve seksuale të kryera nga ana e klerit, përmes një Letre baritore, që u shpërnda gjatë Meshës së djeshme në 219 famullitë e shtetit Viktoria. Në Letër ipeshkvi pranon se Kisha katolike nuk i kushtoi vëmendjen e duhur këtij problemi tejet të mprehtë. Shpërdorimet seksuale e dhunimi i kushteve nga ana e disa klerikëve, shkaktuan një situatë të rëndë, duke e turpëruar mbarë Kishën katolike. E si mund të mos tronditemi ne katolikët? Si mund të mos na vijë turp, kur plaga e shpërdorimeve seksuale vijon të shkaktojë ankth e, në shumë raste, edhe krizë në bindjet fetare të shumë katolikëve? pyet prelati.
Por izmot Hart kujton edhe se shumica e shpërdorimeve u kryen dhjetra vjet më parë e se rreth 300 viktimat u shpërblyen nga kryedioqeza gjatë 14 vjetëve të fundit. U përpoqëm të bëjmë gjithçka kishim në dorë për viktimat, për t’i ndihmuar, për t’i ngushëlluar e, në se do të ishte e mundur, edhe për t’i pajtuar përsëri me Kishën - shkruan ipeshkvi australian në Letrën, me përmbajtje kaq të vështirë, baritore.
Kërkimit të ndjesës nga ana e kryeipeshkvit të Melburnit, i bën jehonë edhe kardinali Xhorxh Pel, kryeipeshkëv i Sidneit i cili, përmes një komunikate, e mbështet me gjithë zemër Letrën e imzot Hart e cila, thekson prelati i lartë “flet edhe për mua”. Pel shton se shpërdorimet seksuale janë një e keqe, që nuk ka vend në Kishë e se kush i ka bërë, meriton gjithë forcën e ligjit.
Por për grupet, që mbështesin viktimat, kërkimi i faljes nga ana e prelatëve, nuk arrin aq larg, sa duhej. Grupet kërkojnë të dënohen jo vetëm klerikët, që kryen shpërdorime mbi të miturit, por të gjithë klerikët e njollosur me shpërdorime të të gjitha natyrave, të papranueshme për Kishën, të cilën e ngarkojnë me një barrë të rëndë turpi e përgjegjësie. Madje, sipas zëdhënëses së viktimave, Kisha ka dënuar më shumë besimtarët që, duke mos u pajtuar me faje të tilla të rënda, folën e akuzuan haptazi, në vend që të dënonte fajtorët, të cilët u lanë tepër gjatë të qetë në rrugën e tyre. Prandaj, thekson zëdhënësja Helen Last, Kisha duhet t’ia hapë arkivat e saj policisë, për të hyrë në thelb të problemit e për të shrrënjosur çdo mundësi që të përsëritet.
Kujtojmë se shkandulli i shpërdorimeve të klerit mbi të miturit në Australi shpërtheu në vitit ’90, kur u akuzuan më se 100 klerikë katolikë. Të premten e kaluar ish-prifti katolik Xhon Dehan, u dënua me 20 vjet burgim, me akuzën e shpërdormit mbi 29 fëmijë të mitur, ndërmjet viteve 1968-1986.Letra baritore e ipeshkvit të Melburnit, dëshmon edhe një herë se Kisha nuk e ka ndër mend të heshtë!







All the contents on this site are copyrighted ©.