2010-07-05 18:33:12

Palokë Kurti 1860-1920, dirigjenti e kompozitori i parë shqiptar i Kohës së
Re


Më 5 korrik 1860 lindi në Shkodër Palokë Kurti, një ndër kompozitorët më të parë shqiptarë, i cili përveç artit muzikor pati edhe një aktivitet të gjerë atdhetar. Palokë Kurti u angazhua me bandat muzikore, drejtoi orkestrën frymore në qytetin e tij, kompozoi marshin “Bashhkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vepra tjera si dhe mjaft këngë me frymë popullore, me të cilat solli një kultivim e ndryshim te kënga popullore qytetare. Po kujtojmë disa këngë si “Karajfilli kuq si gjaku”, “Njëkëllëf me ar ta çova”, “Per mues paske kenë kismet” etj
Kujtojmë se muzika e kultivuar e ka zanafillën në lëvizjen kulturore që shpërtheu fill pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878. Në këtë vit në Shkodër u krijua banda e parë muzikore shqiptare, e cila hodhi themelet për zhvillimin e një muzike të re në Shqipëri. Formimi i orkestrave frymore më parë në Shkodër, pastaj në Korçë, në Elbasan dhe në qytete të tjera, bëri të mundur që të njihen e të përhapen gjinitë e kultivuara në artin muzikor, ato të formacioneve orkestrale. Ky repertor i ri do të shërbente si përvojë e drejtpërdrejtë për krijimin e veprave muzikore të para shqiptare, si marshi “Bashkimi i Shqipërisë”, siç përmendem më lartë i kompozuar nga Palokë Kurti më 1881.
Qytetet e Shkodrës e të Korçës ishin dy qendrat kryesore të zhvillimit të muzikës shqiptare të periudhës së Rilindjes. Në vitin 1909 në Korçë u ngrit orkestra frymore e quajtur “Banda e Lirisë”.
Tipar dallues i muzikës së Rilindjes Kombëtare ishte karakteri atdhetar që shoqëroi periudhën e Rilindjes dhe u thellua më tej me periudhën e Pavarësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.