2010-07-05 17:30:10

Kardinali Njumën do të shpallet i Lum në Kofton Park.


(05.07.2010 RV)Xhon Njumën do të shpallet i Lum nga Papa më 19 shtator, në Kofton Park, pranë Redno, pikërisht atje ku u varros kardinali anglikan, më pas katolik. Vendi i zgjedhur për lumnimin nga etërit e Oratorit të Birmingamit, themeluar nga vetë Njumën, ka një vlerë të madhe simbolike, sepse këtu ai e shokët e tij vinin për t’u prehur e për të shëtitur në mes të blerimit të kodrave Liki Hills. Redno është edhe sot e kësaj dite vend shëtitjesh, lexohet në një notë, ku prehen besimtarët e famullisë, nxënësit e shkollave të Oratorit e edhe shtegtarët, që shkojnë për t’u lutur pranë varrit të Kardinalit. Prandaj etërit shpresojnë se Papa e mijëra besimtarët, që do të marrin pjesë në lumnim, do të gjejnë në Redno të njëjtën paqe e të njëjtën përvojë të përtëritjes shpirtërore, që gëzuan ata e themeluesi i tyre. Rruga, që do të përshkojë Papa nga Redno në Oskot, do t’i krijojë mundësinë për të pasur një kuadër të plotë të jetës së kardinalit Njumën, i cili duke u nisur nga Oksfordi, qytet ku kishte studiuar e ku themeloi lëvizjen e tij, shkonte në Oskot, ku takohej me Ipeshkvin Uajzmën, duke siguruar kështu me Birmingamin, lidhje të vazhdueshme, deri në vdekje.

Kujtojmë se Xhon Henri Njumën, teolog, filozof e kardinal anglez, lindi në Londër, më 21 shkurt 1801 e vdiq në Edgbaston, më 1 gusht 1890.
Mbetet një nga prozatorët më të mëdhenj anglezë e, pa dyshim, më i madhi apologjist i fesë, që ka nxjerrë ndonjëherë Britania e Madhe, tejet i vlerësuar edhe nga jo-katolikët. Mjafton të kujtojmë se Xhon O’Brien, në një libër të titulluar “Kthime në fe që ia ndryshuan faqen botës”, e krahason me Shën Palin, Shën Agostinin e Gillbert Keith Çesterton.
Mbi varrin e kardinalit Njumën lexojmë epitafin, që e shkroi ai vetë: “Ex umbris et imaginibus in veritatem!”- “Nga errësira e nga simbolet, tek e vërteta”.
U kthye në fenë e krishterë, pasi lexoi veprën kushtuar zanafillës së krishterimit “Zhvillimi i doktrinës së krishterë”, botuar në vitin 1845. Përmes studimit të kësaj vepre, arriti në përfundimin se Kisha katolike është përkrahëse e arsyes.U largua, atëhere, nga Oksfordi e u vendos në Birmingam. U shugurua meshtar katolik më 1847, në Romë, ku u njoh me figurën e Shën Filip Nerit, që e mahniti aq, sa të ecte në gjurmët e tij, duke themeluar në Angli Kongregatën e Oratorit. Ishte mik i ngushtë me një prozator tjetër të famshëm: ipeshkvin e më pas kardinalin Nicolas Uajsmën, autor, ndërmjet shumë veprash të tjera, i romanit të mirënjohur “Fabiola”, përkthyer shqip nga imzot Vinçenc Prennushi.







All the contents on this site are copyrighted ©.