2010-07-05 17:29:42

Benedikti XVI përuron shatërvanin e njëqindtë në Qytetin e Vatikanit: i kushtohet Shën Jozefit.


(05.07.2010 RV)“Ju falënderoj për këtë mendim të fisëm e delikat”, kështu u shpreh Benedikti XVI, duke përuruar sot paradite, në Kopshtet e Vatikanit, shatërvanin e ri, realizuar nga governatorati, kushtuar Shën Jozefit, për nder të emrit të pagëzimit të Papës Jozef Racinger.
Është shatërvani i njëqindtë, që zbukuron Qytetin e Vatikanit. Rrethohet nga një mjedis natyror, me bukuri të rralla, kujtoi Benedikti XVI:
Është vepër, që i shtohet pasurisë artistike të kësaj hapësire të blertë, magjiplote, të Qytetit të Vatikanit, ku nuk mungojnë dëshmi historiko-artistike, që të flasin nga të katër anët me gjuhën e epokave të ndryshme”.
Hapësirë jetike, shtoi Ati i Shenjtë, për paraardhësit e mi, e edhe për mua; vend ku shëtis me kënaqësi e prehem, duke kaluar disa çaste në lutje e në kundrim:
“Në të vërtetë jo vetëm livadhet, lulet, bimët, pemët, por edhe kullat, shtëpizat, tempujt e vegjël, shatërvanet, shtatoret e ndërtesat e tjera, i bëjnë të pashoqe këto Kopshte mahnitëse.
Vepra e re i kushtohet Atit tokësor të Jezusit, figurë e dashur, që populli e papët e kanë shumë për zemër, tha Benedikti XVI, e në vijim shpjegoi:
“Ky shatërvan i bukur, kushtuar Shën Jozefit, është simbolik. Na kujton vlerat e thjeshtësisë e të përvujtërisë së njeriut, që përpiqet të bëjë çdo ditë vullnetin e Zotit e që përshkojnë tej e ndanë jetën e heshtur, por të çmuar, të Rojtarit të Shëlbuesit”.
Shatërvani, me dy vaska të mëdha eliptike, me madhësi gjashtë e tetë metra, që zbresin shkallë-shkallë e komunikojnë, me një palmë në mes, pasurohet me gjashtë medalione bronzi të artistit belunez Franko Murer, kushtuar gjashtë episodeve nga jeta e Shën Jozefit, për të cilat foli edhe Papa. Së pari, martesa e Jozefit me Marinë, ngjarje njerëzore, vendimtare për historinë e shëlbimit, me një ngjyrim të fortë të mbinatyrshëm, që dy bashkëshortët e pranojnë me përvujtëri e besim. Më pas, ëndrra e parë e Jozefit, të trazuar shpirtërisht, pasi zbulon amësinë misterioze të Marisë, përmes së cilës Engjëlli i kumton se gjithçka ndodh për virtyt të Shpirtit Shenjt:
T’ia besosh veten Zotit, nuk do të thotë të jesh krejt i sigurtë, sipas kritereve tona; nuk do të thotë të realizosh atë, që ke planifikuar; t’ia besosh veten Zotit, do të thotë të zbrazesh nga vetvetja, ta mohosh vetveten, sepse vetëm kush pranon ta humbasë vetveten për hir të Zotit, mund të jetë i drejtë, si shën Jozefi e mund ta bëjë vullnetin e vet një me vullnetin e Zotit”.
Më pas “Lindja e Krishtit”; “Ikja në Egjipt”, “Gjetja e Krishtit në Tempull”, “Puna e Jozefit në punishten e Nazaretit”, plotësojnë rrëfimin, treguar në bronz, duke u nisur nga përshkrimi i ngjarjeve në Ungjijtë sipas Mateut e Lukës.
Benedikti XVI i falënderoi të gjithë ata, që e realizuan shatërvanin, duke kujtuar posaçërisht bashkëshortët Hintze dhe zotin Kastrinjano të Londrës, që e financuan veprën, së bashku me motrat e manastirit të Shën Jozefit të Kiotos e me ente të ndryshme private të Trentinos. Me këtë rast Drejtoria e shërbimeve teknike realizoi një kolanë me tre vëllime. Në to mund të admirojmë, për herë të parë, të 100 shatërvanet, që freskojnë rrugicat e pyllin, pallatet e monumentet, sheshet e Kopshtet e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.