2010-07-04 11:18:58

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 4 korrik Kisha kremton të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, e po më 4 korrik kalendari Kishtar përkujton edhe festën e Shën Elizabetës (Izabelës) së Portugalisë.
Lliturgjia na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypun padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit.

Nesër e hënë, më 5 korrik, kalendari kishtar përkujton festën e Shën Ndout Maria Zakaria. Shenjti është themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit. Shën Anton Maria Zakariae na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit!
Po kujtojmë se këtë ditë Bijtë e bijat e Shën Ndout Maria Zakarisë , pra Barnabitët e Motrat Engjëllore, që prej vitesh me mision në Shqipëri e Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre.
 
Të martën e ardhshme më 6 korrik është festa e Shën Maria Goretit, virgjër e martire, festa e Papëve të Shenjtë të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit dhe e së shën Marisë Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të Shën Pjetrit Klaver. Ungjilli i liturgjisë së festës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farizejtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë shkandullisht larg nga mëshira hyjnore.
 
Të mërkurën më 7 korrik do të kremtohen Shën Asti Ipeshkëv i Durrësit dhe Shën Benedikti XI, papë, që na kujtojnë se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pijmë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.
 
Të enjten që vjen më 8 korrik , kalendari Kishtar do të përkujton shenjtorët Eugjeni III papë dhe Aquila e Prishila, nxënës të Shën Palit. Liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap.
 
Të premten më 9 korrik , do të kremtohet festa e Shën Agostin Zhao Rong, meshtar dhe shokëve të tij, martirë kinezë; e Shën Adrianit III papë; e Shën Veronika Gjulianit, abateshë, klarise kapuçine. Na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të vdekur.
 
Të dielën e ardhshme më 10 korrik, Kisha kremton të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar e po më 10 korrik, kalendari përkujton edhe shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Bariu i Mirë, e kudo shkon, shëron sëmundjet e shpirtit e të trupit; turmat rendin pas Mësuesin Hyjnor nga të katër anët, ashtu si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to.







All the contents on this site are copyrighted ©.