2010-07-04 18:00:33

Shembëlltyrat ( emisoni II): “Sa janë shembëlltyrat ungjillore?”.


(04.07.2010 RV) Po e nisim emisionin e dytë të rubrikës “Shembëlltyrat”, me pyetjen: “Sa janë, shembëlltyrat ungjillore? Ç’ndryshim kanë nga shembëlltyrat rabinike?”. Për t’i dhënë, më pas, edhe përgjigje!
Shembëlltyra përdoret nga Jezusi për t’i mësuar doktrinën dishepujve e popullit, duke krahasuar realitetet fetare e qiellore, me ato, që ishin familjare për dëgjuesit e kohës së tij.
I gjejmë kryesisht në ungjijtë sinoptikë, jo në atë sipas Gjonit. Duhet të sqarojmë, këtu, se sinoptikë quhen tre ungjij: i Markut, i Mateut e i Lukës. Quhen kështu, sepse po të vihet teksti i tyre në tri shtylla paralele, duke i hedhur një sy të treve njëkohësisht (sinossi), dallohet lehtë ngjashmëria, ndonëse secili ungjilltar ndjek fillin vetjak të rrëfimit. Ndërsa Ungjilli sipas Gjonit ndryshon nga tre të parët, sepse apostulli jep edhe përshtypjet personale e ndjek një kronologji të ndryshme. Në Ungjillin e Gjonit ka pak episode, por shumë të zhvilluara. Përveç shembëlltyrave të ungjijve kanonikë, 14 prej tyre gjenden në Ungjillin e Tomës: dhjetë të ngjashme, por jo identike me shembëlltyrat sinoptike, katër, krejt të veçanta, që i përkasin vetëm këtij ungjilli.
Sa janë, atëherë shembëlltyrat ungjillore? Studiuesit nuk kanë arritur kurrë në të njëjtin përfundim, sepse jo të gjithë e kuptojnë njëlloj termin shembëlltyrë. Po kujtojmë këtu përfundimin, në të cilin kanë arritur më të njohurit. Sipas A. Julicher, shembëlltyrat ungjillore janë 53. Per Jeremias, 41; për C.H. Dodd, 32; Për B. B. Scott, 29; për J. Lambrecht 42. Mbi bazën e përkufizimit të shembëlltyrës: “Shembëlltyra është figurë retorike, përmes së cilës krahasohen mbretëria, veprimet e parashikimet e Zotit, me diçka reale ose imagjinare të kësaj bote”, Hultgren mendon se vetëm 38 fragmente ungjillore mund të konsiderohen si shembëlltyra.
Shembëlltyrat trajtojë ngjarje nga më të ndryshmet, por ajo që të bën më shumë përshtypje në to, është origjinaliteti e gjenialiteti i Jezusit, aftësia e tij për të shprehur të vërteta të mbinatyrshme, përmes rrëfimit të ngjarjeve të vogla, të përditshme.

Pa dyshim shembëlltyrat nuk u përdorën për herë të parë nga Jezusi. I gjejmë para e pas tij. Në Besëlidhjen e Vjetër kemi vetëm një shembëlltyrë të mirëfilltë: atë të pasanikut e të skamnorit. I pari kishte tufa e kope të mëdha bagëtish, i dyti, vetëm një dele të shkretë. E megjithatë, kur pasanikut iu desh mish për gosti, kurseu bagëtitë e veta e i rrëmbeu delen e vetme skamnorit. Shembëlltyrën Bibla e vë në gojën e profetit Natan, i cili ia rrëfen Davidit, për t’i kujtuar mëkatet e tij mortare: rrëmbimin e Betsabesë së bukur e vrasjen e burrit të saj, Urisë” (cfr Sam 12,1-5).
Kanë ardhur deri në kohët tona vetëm pak shembëlltyra, të cilat besohet, ndonëse pa ndonjë bazë të sigurtë, se mund të jenë të Skribëve të mëdhenj të kohës së Jezusit, Hillel e Shammai. Shembëlltyrat rabinike nisin të përdoren më shpesh vetëm rreth viteve 70 pas Krishtit, me ndryshime të dukshme nga ato ungjillore. Për shembull, ndërsa shembëlltyrat biblike kanë për qëllim të shpjegojnë ose të sqarojnë ndonjë fragment të Shkrimit Shenjt, Jezusi përdor vetëm një herë një shembëlltyrë të kësaj natyre: atë të Samaritanit të mirë, për t’i dhënë dijetarit të ligjit përgjigjen, për pyetjen ‘Kush është i afërmi im?”(Lv 19,18).Prandaj mund të themi se Jezusi nuk e krijoi shembëlltyrën, por e zhvilloi në mënyrë aq origjinale e gjeniale, sa të mbetej si vulë mbi mënyrën e të menduarit e të të shprehurit në qytetërimin perëndimor. E kush nuk i njeh sot shembëlltyrat e djalit plangprishës, të samaritanit të mirë, të deles së humbur, të Bariut të mirë…? E kur ndokush flet për talentet, a nuk të shtyn, dashur pa dashur, të mendosh për shembëlltyrën ungjillore të talenteve?







All the contents on this site are copyrighted ©.