(04.07.2010 RV)Sulmona, 180 kilometra larg nga Roma, është qyteti kryesor,
ndërmjet 108 bashkish në provincën e Akuilës: territor i gjërë, që bën pjesë në zonën
e Abruceve. Ndodhet në luginën, e cila përshkohet nga përroi Vela e lumi Gicio,
406 metra mbi nivelin e detit, vetëm 69 kilometra larg tij. Komuna e Sulmonës shtrihet
në një zonë prej 58, 33 kmk e numëron rreth 25 mijë banorë. Qytet i rafinuar, i
fortë e krenar për të kaluarën e vet të lashtë, e cila ndjehet fort kur shkel në rrugët
e rrugicat e tij, përplot me erën e mirë të bonbonave, të famshme në mbarë botën.
Legjenda tregon se qyteti u themelua nga Solimo, hero që iku së bashku me Enean pas
rrënimit të Trojës nga grekët. Këtu, në vitin 43 para Krishtit, lindi poeti i madh
latin, Publio Ovidio Nasone, që krijoi këngë të pavdekshme edhe për vendlindjen, të
cilën e kujton me fjalët: “Vendlindja ime është Sulmona, fort e pasur me ujëra të
kulluara e të akullta, nëntëdhjetë milje larg Romës”. Në Mesjetë këtu lulëzuan
mjeshtritë, sidomos ajo e punimit të stolive të çmuara, për të cilën u ngrit edhe
një shkollë e posaçme. Madhështia e së kaluarës së largët e të afërt duket qartë edhe
në arkitekturën e vendit, sidomos në ujësjellësin, simbol i prosperitetit të kohës
kur u ndërtua, rreth viteve 1256. Sulmona gjatë shekujsh kaloi nga dora në dorë:
mbretër e princër gjysëm të harruar, sunduan mbi fatet e saj. Pas dy luftërave botërore,
me gjithë shkatërrimet, që pësoi e valën e emigrantëve, që u larguan nga vendlindja,
Sulmona vijon të punojë, të dërsijë, të ruajë legjendat, historinë, traditat, identitetin
vet e, sidomos, fenë e krishterë. Ruan edhe traditat popullore në kremtimin e festave
fetare e civile, siç janë, për shembull, ritet e Pashkëve, gara me kuaj e shumë manifestime
muzikore, artistike, teatrore e kinematografike, që kanë jehonë ndërkombëtare e që
i japin të drejtën të njihet si “Siena e Abruceve”.