2010-07-04 18:48:58

Pasdite Benedikti XVI u takua me të burgosurit e burgut të Sulmonës.


(04.07.2010 RV)Sot, para se të shkonte në katedralen e Shën Panfilit, për të përqafuar të rinjtë, Papa u takua, në selinë e kryeipeshkvisë, me një delegacion të burgut të Sulmonës. Takimi që, sipas njoftimit të zevendës-drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Çiro Benedetinit, zgjati tetë minuta, qe tejet i ngarkuar me emocione, nga të dyja palët.
Delegacioni i burgut të sigurisë së lartë, që përbëhej nga disa përfaqësues të të burgosurve e të rojeve, kryesohej nga drejtori, Serxho Romiçe. I pranishëm, edhe kapelani, atë Misori, rregulltar marist. Gjatë vizitës, ngushtësisht private, Papa pati për qëllim të njihet nga afër me gjendjen e përgjithshme të institucionit, duke pasur parasysh ankimet e të burgosurve për mbingarkesën e mjediseve me një numër të tepruar të dënuarish.
Ky institucion u mbiquajt “burgu i vdekjes’ për numrin e madh të vetvrasjeve. Aktualisht në mjediset e tij janë mbyllur 326 të burgosur (nga të cilët, 300 të droguar), e 170 endacakë (150 nga të cilët me sëmundje të rënda psikike). Duhet të strehonte vetëm 235 të dënuar e 50 endacakë.
Sasia e gjendja e të burgosurve flasin vetë për natyrën e këtyre njerëzve me të cilët, siç u shpreh para pak ditësh kapelani, në mikrofonin tonë, nuk është aspak e lehtë të flasësh për fe e përshpirtëri.
Po Papa foli pikërisht për këtë: “Jam i lumtur që gjindem mes jush, u tha, e do të kisha dëshiruar t’i takoj të gjithë. Do t’ju kem në zemër e nga zemera ju uroj të gjeni rrugën tuaj e t’i jepni shoqërisë ndihmesën, sipas aftësive e dhantive, që ju ka dhënë Zoti”. Ky burg i sigurisë së lartë është realitet ku mungon për një kohë të gjatë liria. Ndërmjet njerëzve të mbyllur aty, ishte i pranishëm mëkëmbësi i Krishtit, i Zotit, që çon lirinë kudo ndjehet prania e Tij. E pikërisht për Të kanë më shumë nevojë të burgosurit, që mund të meditojnë gjatë, të mbyllur në qeli…







All the contents on this site are copyrighted ©.