Toma, i cili mendohet se ishte peshkatar, si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo,
që do të thotë ‘binjak’. Është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në
udhëtimin drejt Jeruzalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në
fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë:
“Zotëria im e Hyji im”.
Figurë shumë e dashur për Papën Benedikti XVI, Shën
Toma është kujtuar dy herë nga Ati i Shenjtë gjatë vitit në vijim: në kremtimin e
Pashkëve e në atë të 80-vjetorit të ditëlindjes, të dyja herët lidhur ngushtë me jetën
aktuale të të krishterit të sotëm.
Ja si na e përshkruan Ati i Shenjtë Shën
Tomën në homelinë e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes ( 16. 04.2007): “Në
fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës me Zotin e
ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej
identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria
im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është
Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai
na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund
t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri
për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria
im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të.
Mëshira
e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar.
Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar,
si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të
zerë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon
për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek
të mëdhatë.
“Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë
e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt,
me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall
për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse
Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes
së planit të tij të amshuar shëlbues”.
Secili nga ne – vijoi Papa, mund të
tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja,
e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm –
për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e
të urisë?
“E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste,
mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë
çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët
e njerëzimit të plagosur”.
Toma – vijoi të shpjegonte Papa - mori nga Zoti
e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja
e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur
– reflektoi Ati i Shenjtë - rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve
të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet
e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin
pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare – pohoi Papa e në vijim theksoi:
- Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht
ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!