Me 4 korrik kalendari Kishtar katolike perkujton Shën Izabelën e Portugalisë
(04.07.2010 RV)Izabela ishte bija e Pjetrit, mbretit të ardhshëm të Aragonës,
lindi në Saragozë të Spanjës më 1271, vdiq në Estremoz të Portugalisë më 4 korrik
1336. Duke qenë bijë mbreti, ishte e natyrshme të martohej me një mbret. E këtë
sigurisht që do ta vendosnin të afërmit të cilët, në sa ajo ishte vetëm 12 vjeçe,
ia dhanë për nuse Dionizit, mbretit të Portugalisë. Dionizi kishte plot merita: zhvilloi
ekonominë portugeze, krijoi flotën, themeloi universitetin e Lisbonës, që më pas do
të transferohej në Koimbra. Ishte sundimtar i mirë, por bashkëshort i keq, gjithnjë
i ngatërruar me gra të tjera, që i nxorën në dritë një mori fëmijësh, përveç dy fëmijëve
që i fali Zoti me Izabelën. E ajo, ndonëse e fyer dhe e tradhtuar nga i shoqi,
vijoi t’i qëndronte besnike në mënyrë shembullore, duke ia kushtuar gjithë vetveten
fëmijëve: Alfonsit e Kostancës si dhe të sëmurëve që kishin lëngatë të këqija, siç
quheshin asokohe. E jo vetëm kaq: nisi të kujdesej edhe për fëmijët që nxirrnin në
dritë gratë e tjera, me të cilat së pushonte s’u ngatërruari i shoqi. Kryente kështu
një vepër vërtetë të krishterë. Si mbretëreshë e madhe që ishte. E Dionisi i pabesë
nuk mund të mos e ndjente epërsinë e saj morale, gjë që e vërteton çasti kur i biri,
Alfonsi, çoi krye kundër t’et. Vetëm autoriteti i padiskutueshëm i Izabelës mundi
ta shmangë ndeshjen e armatosur atë e bir. Pas kësaj ngjarjje, u akuzua se nxiste
të birin kundër mbretit dhe u internua në Alenkuer, në veri të Lizbonës. Por shumë
shpejt mbreti e thirri rishtas pranë: kishte nevojë për të, për këshillat e saj. E
ajo u kthye prap në vendin e vet, pranë mbretit. E kur Dionisi u sëmur nga një sëmundje
vdekjeprurëse, ishte ajo që u kujdes për të shoqin, deri në çastin e fundit. Pas
vdekjes së mbretit, më 1325, në fron u ul i biri, Alfonsi IV, por Izabela nuk i ndenji
pranë, si nënë mbretëreshë që ishte. U bë shtegtare e pendestare. Veshur me zhgunin
e terciares françeskane, shkoi këmbëzbathur deri në Shenjtëroren e Shën Jakut të Kompostelës.
Pastaj u strehua nga klariset në kuvendin e Koimbrës, themeluar prej saj e jetoi aty,
por pa i bërë kushtet, të cilat do t’i merrte vetëm pak para se të vdiste. Kuvendi
u bë shtëpia e saj përgjithnjë. Doli që aty vetëm një herë: kur iu desh të pajtonte
të birin, Alfonsin IV me Ferdinandin, mbretin e Kastiljes, dhëndrrin e saj, burrin
e Kostancës. Ishte 65 vjeçe. Trupi i saj, i ligështuar nga pendesët e shumta, nuk
qe më në gjendje të përballonte mundimin e një udhëtimi të bërë në kulmin e vapës.
Takoi të birin e të renë, u ndal në Estremos, po nuk mundi të vijote më tej. Lodhja
dhe ethet ia këputën jetën. Trupi i Izabelës u mbart në kuvendin e Koimbrës. Më 1612,
kur u zbulua gjatë mbartjes për procesin e shenjtërimit, u gjet i patretur. Kanonizimi
solemn i saj u kremtua në Romë në vitin 1625, nën papninë e Urbanit VIII.