2010-07-04 18:48:29

Benedikti XVI të rinjve: dialogu me Zotin është garanci e vërtetësisë dhe e lirisë.


(04.07.2010 RV)Rreth orës 16. 45 Benedikti XVI arriti në Katedralen e Sulmonës, ku u takua me të rinjtë, për të adhuruar, së bashku, të Shenjtnueshimin Sakrament. Ishte takim mes miqsh, gjatë të cilit u shkëmbyen pyetje e përgjigje:
“Më bëtë pyetje të sinqerta e, njëkohësisht, më treguat se nuk ju mungojnë bindjet, se reflektoni, se i bëni pyetje vetes, se jeni në gjendje të kuptoni ç’është e mira dhe e vërteta. Dini të përdorni mendje e zemër, e kjo nuk është pak” .
Kështu u tha Ati i Shenjtë, me kënaqësi, të rinjve, që e rrethonin, duke krijuar një atmosferë plot gjallëri e duke i kërkuar, me hovin e moshës së re, që beson se mund të bëjë gjithçka, cila është gjëja kryesore e kësaj bote. “Ta përdorni mirë mendjen e dijen, që ju ka dhuruar Zoti; të mbroni pasurinë më të madhe: fenë e vlerat morale”, ishte përgjigja.
Duke ndjekur pyetjet, Papa vërejti dritë-hijet në jetën e të rinjve, aspektet pozitive e negative. Pozitiv: vizioni i krishterë për jetën, edukata e shëndoshë fetare, marrë nga familjet e nga Kisha. Kjo, drita. Negative, hijet që errësojnë horizontin e jetës rinore:
Problemet konkrete, që të pengojnë ta shikosh të ardhmen me qetësi e optimizëm; por edhe vlerat e rreme e modelet mashtruese, që propozohen e premtojnë se mund ta mbushin plot jetën, ndërsa e zbrazin fare”.
Që këto hije të mos peshojnë tepër mbi fatet e jetës, Papa i këshilloi të rinjtë të ruajnë kujtesën historike të trojeve të tyre, sepse kujtesa historike është ‘një marsh’ më tepër në jetë. Pa të nuk mund të ketë ardhmëri!
E duke folur për kujtesën historike, Benedikti XVI nuk mund të mos ndalohej tek figura qendrore e shtegtimit të tij baritor: Shën Çelestini V, duke ua paraqitur të rinjve si shembull, 800 vjet pas vdekjes e njëkohësisht, duke i dhënë përgjigje pyetjes së tyre: si mund ta njohim thirrjen e Zotit? Thirrjen mund ta njohim kryesisht në lutje, duke gjetur vendin e kohën mes zhurmave shurdhuese të përditshme, për të jetuar çaste heshtjeje shpirtërore, për t’i folur Zotit e për ta dëgjuar, tha Papa:
“Me një fjalë, e fshehta e thirrjes zbulohet përmes lidhjes së ngushtë me Zotin, në lutje, duke qenë njerëz të Zotit, siç ishte Shën Çelestini V”.
Më pas Ati i Shenjtë u shpjegoi të rinjve konceptin e vetë lutjes, që nuk duhet kuptuar si shkëputje nga realiteti:
“Në se lutja do t’ju largonte, do t’ju shkëpuste nga jeta juaj reale, hapni mirë sytë: ajo nuk është lutje e vërtetë! Përkundrazi, dialogu me Zotin është garanci e vërtetësisë dhe e lirisë. Në lutje, Zoti ju bën me të vërtertë të lirë, duke ju çliruar edhe nga tundimet, të cilat ju paraqiten me maskën e mirësisë. Ju, e kjo është edhe përgjigjja e njërës nga pyetjet tuaja, mund të jeni në botë, por jo të botës, pikërisht falë lutjes”.
Së fundi Benedikti XVI u kujtoi të rinjve, që e rrethonin, se feja e lutja nuk i zgjidhin problemet, por i japin njeriut krahë për t’i përballuar me forcë të re, duke i parë në një dritë të re. E këtu Ati i Shenjtë u propozoi përsëri besimtarëve, të rinj e të moshuar, shembullin e shenjtorëve:
“Në se vërejmë historinë e Kishës, do të shohim se është e pasur me figura shenjtorësh e të lumturish, që u bën të tillë duke u nisur pikërisht nga dialogu i thellë e i përhershëm me Zotin e, të ndriçuar nga feja, gjetën rrugëzgjidhje krijuese, gjithnjë të reja, për t’iu përgjigjur nevojave konkrete njerëzore".
Mos harroni, vijoi të shpjegonte Papa, se edhe jeta vetmitare, si ajo që jetoi Shën Çelestini, është gjithnjë në shërbim të bashkësisë e kurrë në kundërshtim me të. Vetmitoret e manastiret janë oaza e burime të jetës shpirtërore, që mund ta shuajnë etjen e botës për të vërtetën. Murgu nuk jeton për vete, por për të tjerët, për të mirën e Kishës e të shoqërisë, që e kultivon jetën kundruese, nga e cila mund të burojnë energji të reja, përmes veprimit të drejtpërdrejtë të Zotit.
Këto, porositë e Papës i cili, duke kujtuar të riun e pasur të Ungjillit, që iku i trishtuar kur Krishti i propozoi të hiqte dorë nga pasuria, vërejti me kënaqësi se në fytyrat e të rinjve lexohej gëzimi, shenjë dalluese e të krishterëve, të cilët janë të bindur se Zoti është gjëja më e çmuar, se nuk di të marrë, di vetëm të japë. U jep vlerë, të gjitha gjërave të tjera. Prandaj zemra e njeriut nuk ka paqe, derisa ta gjejë Zotin, tha në përfundim Papa e pastaj zbriti në kriptën e Katedrales, ku u gjunjëzua, në lutje para relikeve të Shenjtorëve Panfili e Çelestini V.
Në orën 17. 30 ishte në stadiumin “Palozi”, prej nga u nis për në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.