2010-07-02 17:13:57

Papa ambasadorit të ri irakian: vuajtja e përbashkët e të krishterëve dhe e myslimanëve mund ta fuqizojë dëshirën për paqe.


(02.07.2010 RV)“Vitet e fundit në Irak kanë qenë plot me akte tragjike dhune, në kundërshtim të plotë me mësimet e islamit e të krishterimit. Janë kryer kundër popullsive të pafajshme myslimane e kristiane. Të dyja palët vuajtën së bashku, e pikërisht kjo vuajtje e përbashkët mund të shërbejë për të krijuar një lidhje të fuqishme, duke forcuar vendosmërinë e myslimanëve dhe të krishterëve për paqe e pajtim”. Këtë pohoi sot paradite Papa Benedikti XVI, duke i drejtuar fjalën ambasadorit të ri të Republikës së Irakut, Habeb Mohamed Radi Ali Al-Sadr, të cilin e priti në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale.

Benedikti XVI kujtoi se irakianët, me rastin e votimeve, mbajtur më 7 marsin e kaluar, i dhanë botës një sinjal të qartë, duke zgjedhur rrugën e demokracisë. Përmes kësaj rruge, shtoi Ati i Shenjtë, populli irakian dëshiron të jetojë në harmoni, në një shoqëri të drejtë, pluraliste, që i respekton njëlloj të gjithë anëtarët e saj. Pavarësisht nga kërcënimet e atyre, të cilëve nuk u pëlqen kjo udhë, irakianët u treguan vërtetë të guximshëm e të vendosur, duke shkuar me shumicë drejt kutive të votimit. Tani duhet punuar me vrull për të kompozuar, sa më shpejt të jetë e mundur, mozaikun politik irakian:
“It is to be hoped that the formation of a new government...
Shpresojmë se formimi i qeverisë së re do të realizohet sa më shpejt, në mënyrë që vullneti i popullit për një Irak të sigurtë e të bashkuar, të mund të bëhet realitet”.
Selia e Shenjtë, e cila i ka konsideruar gjithnjë të shkëlqyera marrëdhëniet diplomatike me Irakun, do të vijojë, për sa është e mundur, t’i sigurojë ndihmën, në mënyrë që Iraku të zërë vendin legjitim si komb udhëheqës në zonë. Ata që u zgjodhën, shtoi Papa, duhet të tregohen të guximshëm e të vendosur, për t’iu përgjigjur si duhet shpresave të mëdha, që ka mbështetur në ta populli irakian:
“The new government will need to give priority to…
Qeveria e re duhet t’i shikojë me përparësi masat për përmirësimin e sigurisë në të gjithë sektorët e jetës, duke u kujdesur posaçërisht për pakicat e ndryshme”.
Ndërmjet të drejtave, që duhen respektuar plotësisht, rëndësi të dorës së parë kanë liria fetare e ajo e kultit, sepse u krijojnë nënshtetasve mundësinë të jetonë si njerëz të krijuar sipas shembëlltyrës së Krijuesit. Të krishterët irakianë, shpjegoi më pas Papa, kanë të njëjtin shqetësim, që shprehu ambasadori i ri: duhet të mbeten në trojet, ku u linden, në atdhe. Për ata, që u detyruan të emigrojnë, shtoi Benedikti XVI, uroj të rikthehen sa më shpejt në Irak:
"Since the earliest days of the Church…
Që në ditët e para të Kishës, të krishterët banuan në trojet e Abrahamit, troje që janë pjesë e trashëgimisë së përbashkët të judaizmit, krishterimit e islamit”.
Urojmë, prandaj, nënvizoi Papa, që shoqëria irakiane, në të ardhmen, të dallohet për bashkëjetesën paqësore, dëshirë e shpresë e përbashkët e të gjithë atyre, që i kanë rrënjët thellë në fenë e Abrahamit. E, të mos harrojmë, në këtë shoqëri të krishterët kanë një rol të rëndësishëm:
“Altough Christians form a small minority…
Ndonëse të krishterët janë pakicë në gjirin e shoqërisë irakiane, japin një kontribut të çmuar për rindërtimin e saj e për rifillimin e zhvillimit të ekonomisë, përmes apostullimit në fushën edukative e shëndetësore; impenjimi i tyre në projektet humanitare është ndihmesë vërtetë të nevojshme për rindërtimin e shoqërisë”.
Historia dëshmon se disa nga nxitjet më të frytshme për të kapërcyer përçarjet, vijnë nga shembulli i burrave e i grave, të cilët humbën jetën, duke zgjedhur rrugën e guximshme e paqësore të dëshmisë së vlerave të larta, larg çdo dhune:
“The names of achibishop Paulos Faraj Rahho, father Raghhed Ganni…
Emri i kryeipeshkvit Paulos Faraj Rahao, i atë Reghed Gani e i shumë të tjerëve vijojnë të jetojnë, si shembuj të ndritshëm të asaj dashurie, që i shtyu të japin edhe jetën për të tjerët”.
Benedikti XVI kujtoi, në përfundim, nismën e Selisë së Shenjtë për të ndihmuar Kishat vendase në të gjithë zonën, Asamblenë e posaçme të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që do të mbahet nga 10 deri më 24 tetori i ardhshëm:
"This will provide a welcome opportunity to explore…
Do të jetë një mundësi për të vënë në dukje rolin dhe dëshminë e të krishterëve në trojet e Biblës e do t’i japë një shtytje të re dialogut ndërfetar, gjë që mund të kontribuojë shumë për arritjen e qëllimit të bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, duke e thelluar respektin e nderimin reciprok ndërmjet tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.