2010-07-02 15:10:49

Më 2 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit


(02.07.2010 RV)Qyteti i Leçes, në Itali, ka një veçori dalluese: Pajtorin e vet e zgjodhi jo vetëm para se të shpallej zyrtarisht shenjt nga Kisha, por madje edhe para se të vdiste, më 2 korrik të vitit 1616. E kemi fjalën për Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit. Kur po jepte shpirt, këshilli bashkijak i Leçes, i mbledhur me ngut, i shkoi tek shtrati i vdekjes e iu lut të bëhej Pajtor i qytetit. Banorët e Leçes e bënë këtë, sepse druheshin se pas vdekjes, njeriu i jashtëzakonshëm, që kishte banuar në qytetin e tyre, duke lënë gjurmë të ndritura shenjtërie e duke tërhequr me shembullin e tij mijëra nxënës, mund të shpallej pajtor i Karpit, ku kishte lindur më 1 dhjetor të vitit 1530 në një nga familjet më të njohura fisnike të vendit.
Këtu kishte filluar të merrte edhe mësimet e para, nga mësuesit më të njohur të kohës, të ftuar në shtëpinë e tij. Më pas Bernardini ndoqi akademinë modeneze, qendër kulturore nga më të shquarat në Itali. Pasi studioi filozofi e mjekësi, 26 vjeç u diplomua në drejtësi civile e kanonike. Hyri kështu në rrugën e shërbimit publik, ku nisi menjëherë të bëjë karrierë. Por kjo rrugë, në të cilën po ecte me çapin e sigurtë të njeriut me përgatitje kulturore të gjithanshme, u ndërpre papritmas. Duke hequr dorë nga kënaqësitë e botës, nga rruga e suksesit, nga majat e nderimeve që i ofronin aftësitë e tij si jurist i shquar, Bernardini hyri në shoqërinë e jezuitëve, ku më 1567 u shugurua meshtar e u bë menjëherë mësues i novicëve jezuitë. Shtatë vjet më vonë krijoi në Leçe një kolegj, të cilit iu kushtua deri në vdekje, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e qytetit jugor italian.
Prandaj Bernardini, i shpallur shenjt nga Papa Piu XII në vitin 1947, ndonëse nuk është leçez, e as puliez, mbeti Pajtor i Leçes.







All the contents on this site are copyrighted ©.