2010-07-02 17:14:51

Benedikti XVI për vizitë në Sulmona. Një nga takimet, do të jetë ai me të burgosurit.


Të dielën e ardhshme Benedikti XVI do të shkojë në qytezën abruceze të Sulmonës, për një vizitë njëditore që, natyrisht, do të jetë e ngarkuar me veprimtari, takime, emocione.
Çastet kryesore të vizitës së Papës në Sulmona, do të jenë Mesha në Sheshin Garibaldi, nderimi i relikeve të Shën Pjetër Çelestinit V, në vitin jubilar çelestinian; takimi me të rinjtë e ai me një delegacion të burgut të Sulmonës. Të gjitha çaste, që kanë të bëjnë me jetën dhe historinë e këtij qyteti, i cili që në shtatorin e kaluar ruan, në katedrale, trupin e Papës vetmitar. Rreth 700 vjet më parë, pas pesë muaj papnie, Çelestini V hiqte dorë nga impenjimi i lartë, duke ndjerë në shpirt se nuk mund të ishte njëkohësiht papë e vetmitar i përvujtë. Zgjodhi, prandaj, vetminë e oshënarit, duke jetuar në shumë vende, që sot lidhen me kultin e Tij në këtë zonë. Vendi i parë çelestinian është “Vetmitorja e Morrones”. Njihet me këtë emër, nga që para se të bëhej papë, Vetmitari i madh quhej Pietro Morrone. Eremitazhi, në fillim shpellë e thjeshtë, tashti ndërtesë moderne, është fare pranë qendrës së qytetzës, e sidomos, pranë burgut, të madh. Bie, prandaj, menjëherë në sy, sapo t’i afrohesh udhës kryesore. E dallohet mirë edhe nga dritaret e burgut, prej të cilave mund të soditet e gjithë kodra e gjelbër.
Emocioni në mjediset e burgut tashmë ka filluar e bëhet gjithnjë më i ndjeshëm, me afrimin e takimit të madh, ndonëse me Benediktin XVI do të takohen vetëm pesë të dënuar, siç na tregon kapelani, atë Franko Mesori, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Kur të burgosurit dalin në shëtitje e shikojnë këtë ndërtesë, më bëjnë gjithnjë pyetjen: “Ç’ësht, kjo shtëpizë?”. Kështu më krijojnë gjithnjë mundësinë t’u shpjegoj kush ishte Shën Çelestini.

Pyetje: - Sot është shtëpizë, dje ishte shpellë, ku banoi një Papë shenjt. Ç’u kujton kjo? Ç’ndikim mund të ketë përshpirtëria e Vetmitarit mbi zemrat e të burgosurve?

Përgjigje: - T’u flasësh të burgosurve për përshpirtëri, më duket një sfidë vërtetë e guximshme. Gjithsesi mund të kujtoj se ipeshkvi përgatiti disa shkrime për Shën Pjetër Çelestinin, më shumë reflektime, se dokumentime, për të ndihmuar në përgatitjen e Vitit çelestinian. Disa të burgosur i lexuan me kënaqësi. E pati edhe nga ata, që më thanë se mësuan shumë nga kërkimi i Zotit në vetminë e qelisë së burgut.

Pyetje: - Ky quhet burg i sigurisë së lartë e, për fat të keq, dihet edhe se brenda mureve të tij janë bërë disa vrasje. Është i njohur, sepse ka shumë mafiozë, të burgosur me afate të gjata. Një realitet ku mungon për një kohë të gjatë liria, prandaj. Këtu do të jetë i pranishëm mëkëmbësi i Krishtit, i Zotit, që çon lirinë kudo ndjehet prania e tij… edhe këtu, në takimin me delegacionin e të burgosurve e, përmes tij, me gjithë ata, që kanë kohë të mjaftueshme të meditojnë, të mbyllur në qeli…

Përgjigje: - Takimi me Atin e Shenjtë është pothuajse simbolik, sepse do të jenë vetëm pesë të burgosur, disa policë, drejtori i burgut dhe komandanti i rojeve. Gjithsesi mbetet me vlerë. Lë të kuptosh se aty, ku hyn Jezu Krishti, hyn shëlbimi e liria. Në fund të fundit detyra e kapelanit është t’u kujtojë atyre, që jetojnë të mbyllur, se Jezu Krishti të bën të lirë, edhe kur je i ngarkuar me zinxhirë, edhe kur drejtësia mendon se duhet të rrish në pranga. Mund t’i kesh duart të lidhura, por shpirtin, të lirë. Këtë do t’u kujtojë vizita e Papës gjithë të burgosurve.







All the contents on this site are copyrighted ©.