2010-07-02 15:11:16

20-vjetori i Deklaratës Kushtetetuese,
2 korriku i 1990 pikënisje e shtetit të Kosovës


Si sot para 20 vjetësh , më 2 korrik 1990 delegatët e legjislacionit të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, shpallën Deklaratën Kushtetuese, me të cilën u vunë bazat e shtetit të Kosovës. Një vit më parë, u suprimua me forcë rregullimi kushtetues i Kosovës nga ana e regjimit të Millosheviqit, e cila deri atëherë ishte një nga tetë njësitë e barabarta të federatës së atëhershme jugosllave.
Regjimi i Beogradit pas fushatës histerike disavjeçare antishqiptare, me ndihmën e tankeve e shuajti autonominë që gëzonte Kosova, duke filluar serbizimin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë duke i bërë shqiptarët qytetarë të rendit të dytë.
Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm më 2 korrik të vitit 1990 shpallën Deklaratën Kushtetuese me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia. Në atë kohë në Kosovë vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në.
Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e RSFJ-së si krijesë artificiale krejtësisht antishqiptare, e dominuar nga serbët.
Dy muaj më vonë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës me çka edhe formalisht Kosova u shpall Republikë në kuadër të federatës jugosllave. Por Serbia, fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet, duke filluar nga Kuvendi e Këshill Ekzekutiv i tij e deri te të gjitha institucionet tjera shkencore, arsimore e kulturore.
Së pari Serbia pushtoi me dhunë RTV e "Rilindjen" duke vazhduar edhe me të gjitha institucionet e tjera vitale të Kosovës. Një viti më vonë, në shtator të vitit 1991, populli i Kosovës me referendum shpalli Kosovën shtet të pavarur, si rrjedhojë e proceseve të pandalshme të shpërbërjes së RSFJ-së, nga e cila po shkëputeshin një nga një republikat e atëhershme jugosllave, përveç Serbisë e Malit të Zi.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, deri në ditët e sotme, kur Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë formale si Shtet i Pavarur dhe Sovran. E sot po kaq guximtar dhe i vendosur populli i Kosovës duhet të dëshmohet edhe në ndërtimin demokratik dhe në zhvillimin shoqëror e ekonomik të Vendit e të shoqërisë. Por mjerisht, jo të gjithë janë të vendosur për këtë rrugë. Nuk janë të paktë ata që abuzojnë me lirinë, pavarësinë e detyrën...Ka krim e korrupsion. Është në rritje edhe numri i atyre janë mes shpresës së madhe për ditë më të lumtura dhe dorëzimit! (QIK)







All the contents on this site are copyrighted ©.