2010-07-01 17:24:54

Çelësi i fjalëve të Kishës: sot t’i kushtojmë vëmendje fjalës “apostull / i dërguar”


Çelësi i fjalëve të Kishës (emisioni i 57-të) kushtuar fjalës “apostull/i dërguar”.
Të dashur dëgjues, të shtunën, pas dy ditësh, Kisha Katolike kremton festën e shën Tomës Apostull, i njohur sidomos për dyshimin që shprehu mbi ringjalljen e Jezu Krishtit, të cilin më pas e njohu. Sipas traditës, predikoi Ungjillin jashtë kufijve të Perandorisë Romake, në Persi e në Indi, ku formoi bashkësitë e para të krishtera. Nderohet si shenjt nga Kisha Katolike, nga ajo ortodokse e nga ajo kopte. Figura e tij e rëndësishme na shtyu sot t’i kushtojmë vëmendje fjalës “apostull/i dërguar”. Pikërisht kuptimin e saj do të përpiqemi të shpjegojmë në emisionin tonë.


Ekziston një kuadër i Jezusit mjaft i shpeshtë në Ungjij: Ai pikturohet gjithnjë në mesin e një rrethi me dishepuj apo nxënës, duke dhënë kështu imazhin e rabinit, mësuesit të traditës hebraike, por edhe atë të profetëve të lashtë (të mendojmë për shembull për Elizeun, dishepull i Elisë, ose Barukun, sekretar i Jeremisë). Por nëse shqyrtojmë me vëmendje tekstet ungjillore përkatëse, vërejmë mënyrën e ndryshme të përshkrimit të këtyre njerëzve që mblidhen rreth Krishtit. Rrethi më i madh është ai i dishepujve apo nxënësve, në greqisht “mathetŕi”, një term që përmendet 261 herë në Besëlidhjen e Re e që rrjedh nga folja “manthŕnein”, “për të mësuar” (e pranishme 25 herë).
Janë burra e gra që “ndjekin” Jezusin fizikisht, por sidomos shpirtërisht, gati të marrin edhe ata mbi supe kryqin e dëshmisë së guximshme deri në martirizim, por, fatkeqësisht, edhe ta braktisin Mësuesin, kur dalin probleme e hasin në vështirësi. Pas fjalimit mbi bukën e jetës në sinagogën e Kafarnaumit – vëren Shën Gjoni Ungjilltar (6,66) – “shumë prej nxënësve të tij u shmangën, u larguan dhe nuk shkuan më me Të”. Në rrethin e miqve besnikë të Krishtit, shkëlqen figura e “nxënësit që Jezusi e donte”, i përmendur vetëm nga Shën Gjoni Ungjilltar në tregimin e Mundimeve të Krishtit. Edhe pse nuk është përmendur, tradita e ka identifikuar këtë me vetë ungjilltarin.
Tani e kemi më të lehtë të kalojmë në një rreth tjetër, më të ngushtë, atë të “apostujve”, transkriptim nga greqishtja “apňstoloi”, një fjalë e pranishme 80 herë në Besëlidhjen e Re, domethënia e së cilës është thjesht “i dërguar”. Për këtë arsye, përmendet 132 herë edhe folja nga rrjedh kjo fjalë, “apostéllein”, “për të dërguar”. Themelore në këtë figurë, duket se është dëshmia pamore e pranisë historike e të lavdishme të Krishtit, siç shpjegohet në zgjedhjen e Matisë në vend të Judës (Vap 1,21-26) e siç përsëritet me forcë nga Shën Pali Apostull, i cili qe dëshmitar i të Ngjallurit (1 Kor 9,1; 15,8).
Apostujt thirren edhe me një mënyrë tjetër: ata janë “ të dymbëdhjetët” (cituar 75 herë), për çka jepet edhe lista e emrave (Mt 10,2-4; Vap 1,13). Zgjedhja e tyre bëhet me vullnet të lirë nga Krishti, i cili u cakton edhe misionin: “Thirri ata që deshi vetë…I emëroi të Dymbëdhjetët, që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë, e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë” (Mk 3,13-15; shih edhe 6,7-13). Një detyrë që ka aspekte analogjie me atë të dishepujve, 70 (ose 70-të) sipas shën Lukës Ungjilltar, mbi bazën e një shifre simbolike (10,1-2), ashtu siç ishte simbolik edhe numri 12, evokim i fiseve të Izraelit.
Por, ajo që mbetet specifike për apostujt është falja e mëkateve (Mt 16,19; 18,18; Gjn 20,22-23). Ndërsa “dishepuj” apo “nxënës” quhen të gjithë të krishterët, që ndjekin Zotin e Mësuesin, siç del qartë nga Fjala e Jezu Krishtit në mal, ku në Ungjillin sipas Mateut, thuhet se Ai ishte i rrethuar nga dishepujt (5,1-2). Detyra për të formuar dishepujt do t’u mbetet apostujve, ashtu siç u thotë të Njëmbëdhjetëve, vetë Jezusi në malin e Galilesë: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” (28,19).







All the contents on this site are copyrighted ©.