2010-07-01 17:04:13

Papa nënshkroi dekretet për lumnimin e shumë martirëve të nazizmit dhe të luftës civile spanjolle. Dom Luigji Guanela, shpallet së shpejti shenjt.


Kisha do të shpallë së shpejti shenjt një nga të ashtuquajturit e “Shenjtërve të dashurisë”, të Lumin Luigji Guanela. Vendimin e mori Papa Benedikti XVI këtë mëngjes, në audiencën e përgjithshme rezervuar prefektit të Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, kryeipeshkvit Anxhelo Amato.

Gjithashtu Papa nënshkroi edhe shpalljen e dekreteve që njohin mrekullitë e katër Shërbëtorëve të Zotit që do të shpallen të Lumë shpejt, si edhe martirizimin e shumë meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve të vrarë, shumica, gjatë Luftës civile spanjolle dhe nën regjimin nazist në Gjermani.

Dom Gjon Bosko, Dom Luigji Guanela dhe Dom Orione. Periudha nga fundi i tetëqindëshit e fillimi i nëntëqindëshit është një kohë e mbarë e plot fryte për Kishën italiane, dhe jo vetëm për të. Nuk ka pothuajse asnjë zonë të veriut e as të qendrës së Italisë që të mos jetë prekur drejtpërsëdrejti nga figurat e jashtëzakonshme të këtyre meshtarëve. Dom Guanela, i cili shpejt do të bëhet shenjt, u lind në një zonë afër Sondrios në vitin 1842. 24 vjeç ishte meshtar dhe u takua me Dom Boskon në Torino, ku u përfshi nga ajo valë dashurie e cila e shndërron mjerimin shoqëror në solidaritet dhe mundësi për të ecur përpara në jetë.

Në vitin 1881 themeloi Shërbëtorët e Dashurisë dhe Bijat e Shën Marisë të Provanisë që nga Komoja, pastaj u përhapën shumë shpejt në të gjithë Italinë dhe përtej detit, në Afrikë, Amerikë e Azi. Në janar të 1915, një tërmet i fuqishëm tronditi Marsikën, në Abruco, të cilën e shkatërroi. Dom Guanela shkoi menjëherë për të dhënë ndihmë dhe në krah të tij ishte edhe Dom Orione. Nuk kaluan veç pak muaj dhe kaloi në amshim, në Komo. Papa Pali VI e shpalli të Lum në 1964.

Në kapërcyell të tetëqindëshit e të nëntëqindëshit jetuan edhe katër të Nderuarit Shërbëtorë dhe Shërbëtore të Zotit të cilëve Selia e Shenjtë ua njohu mrekullitë e kryera. Bëhet fjalë për meshtarin Xhustino Maria Rusolilo, famullitar i Pianurës dhe themelues i Shoqërisë së Thirrjeve Hyjnore (1891-1955); rregulltaret Maria Serafina e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, themeluese të Institutit të Motrave të Engjëjve (1849-1911); Alfonsa Klerici, bijë e Kongregatës së Motrave të Gjakut të Tejçmueshëm, në Moncë dhe Çeçilia Euzepi, e Urdhrit të Tretë shekullar të Shërbëtorëve të Marisë, kaluar në amshim kur ishte veç tetëmbëdhjetë vjeçe, në 1928.







All the contents on this site are copyrighted ©.