2010-07-01 12:42:02

Papa emëron imzot Koch në vend të kard. Kasper President të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve


Ati i Shenjtë Benedikti XVI ka pranuar dorëheqjen, paraqitur nga kardinali Walter Kasper, nga detyra e Presidentit të Këshillit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve dhe ka emëruar në vend të tij ipeshkvin e Bazelit, shkëlqesinë e tij imzot Kurt Koch. 60 vjeçar, teolog, duke e lartuar në njëjtën kohë në dinjitetin e Kryeipeshkvit.
Ipeshkvi Koch ka qenë profesor i teologjisë dogmatike e shkencave të liturgjisë pranë Universitetit të Lucernit, anëtar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, e nga vitit 2007 deri më 2009 president i Konferencës Ipeshkvnore zvicerane, e tani, në detyrën e re do të përkujdeset për marrëdhëniet me bashkësitë tjera të krishtera por edhe me hebraizmin.
Në letrën drejtuar besimtarëve të dioqezit të Bazelit me rastin e largimit e të tij, imzot Koch shpjegon se Papa Racinger i ka besuar këtë detyrë të re në saj të përvojës së drejtpërdrejtë, e jo vetëm të njohjes teologjike, me Kishat dhe bashkësitë kishtare që vijnë nga Reforma. Papa edhe një herë tregon interesimin e tij jo vetëm për ekumenizmin me ortodoksit, por edhe me protestantet, e rëndësinë që i kushton dialogut ekumenik, të cilin e ka jashtëzakonisht përzemër.
Sipas ipeshkvit zviceran, Papa Racinger dëshiron që Kisha të hyj gjithnjë e më në thellësi dhe shtyn për një ‘reformatio’- ‘reformim’ të ri të Kishës nga brendësia, e kjo do të thotë që Ati i Shenjtë po orvatet për t’ia kthyer asaj reformën autentike, ashtu siç qe realizuar e programuar nga Koncili II i Vatikanit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.