Më 1 korrik Kisha përkujton shën Aronin e Shën Esterin
Duke shfletuar kalendarin më 1 korrik Kisha përkujton shën Julin, shën Aronin e Shën
Esterin, këta dy të fundit i njohim përmes Besëlidhjes së Vjetër të Biblës.
Shën
Aroni është një nga figurat qendrore të pesë librave të parë të Biblës, që njihen
me titullin e vetëm: Pentateuku. Bibla, kujtojmë, është edhe i vetmi burim biografik
për këtë shenjt. Vëlla një gjaku me Moisiun, Aroni qe bashkëpunëtor i ngushtë i
kryetarit karizmatik, që Zoti ia pati dërguar popullit të tij, skllav në Egjipt,
për ta udhëhequr drejt tokës së premtuar. Hyji e lartoi Aronin, njëlloi si vëllain
e tij, Moisiun, me të cilin lidhi besën e përhershme dhe i shuguroi të dy me vajin
e shenjtë, si priftërinj për popullin e zgjedhur. Njeri i brishtë e mëkatar si të
gjithë njerëzit tjerë të vdekshëm, Aroni megjithatë mbetet model i bashkëpunimit me
Hyjin për realizimin e planit të tij të dashurisë për të mirën e njerëzimit.
Shën
Ester është mbretëreshë shenjte. E është pikërisht heroina judaike, që i dha
emrin njërit prej librave të Biblës: “Libri i Ester”. Martiriologët e lashtë latinë
e kremtojnë festën e Esterit më 1 korrik, ndërsa të krishterët koptë e vendosin të
kremten e “mbretëreshës së Persianëve” më datën 20 dhjetor. Në Kishat e traditës bizantine
Ester kremtohet së bashku me Etërit e Besëlidhjes së Vjetër. Ndër kremtime jo përkujtohet
me këto fjalë: “Përkujtimi i së drejtës Ester, që e çliroi popullin e Izraelit nga
vdekja”. E famshme është lutja e saj drejtuar Zotit për ta siguruar këtë shpëtim:
“Ma dëgjo mua uratën, që jam qyqe vetëm e që nuk kam tjetër mbrojtës, përveç Teje,
o Zot, sepse vetveten po e vë në rrezik...vëre në gojën time fjalën e përshtatshme....na
çliro nga dora e armiqve tanë, shndërroje vajin tonë në gëzim, dhimbjen tonë, në shëndet.
Ata që sulmojnë trashëgimin tënd, o Hyj, ndëshkoi në mënyrë shembullore. Duku, o Zot,
dëftohu!”.