Më 1 korrik 1643 vdiq ipeshkvi imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër
shqiptare.
(01.7.2010 RV)Pra si sot, më 1 korrik të vitit 1643 vdiq ipeshkvi shqiptar imzot Frang
Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare. Ai lindi në Kallmet të Zadrimës
në vitin 1606. Studioi në kolegjin kishtar të Loretos në Itali dhe në atë të Propaganda
Fides të Vatikanit në Romë. U emërua ipeshkëv në dioqezën e Sapës. Krahas misionit
e punës meshtarake e pastaj ipeshkvnore, imzot Frang Bardhi pati një kujdes të veçantë
për kultivimin e kulturës shqipe dhe përparimin e popullit shqiptar, e kështu zhvilloi
edhe veprimtari të dendura letrare dhe shoqëroro-politike.
Ipeshkvi imzot
Frang Bardhi u mor me përkthimin e veprave katekistike, liturgjike e fetare nga italishtja
e latinishtja në shqip për formimin shpirtëror të besimtarëve të krishterë. Por imzot
Frang Bardhi njihet edhe si leksikografi i parë shqiptar, si historian i folklorit
e si etnograf. Që kur ishte student në kolegj pat filluar të shkruajë në latinisht
vepra që më vonë e bënë të njohur.
Disa prej tyre janë: Dictionarium latino
- epiroticum (1635, Romë ), ("Fjalori latinisht - shqip" dhe "Skënderbeu" (1636, Venedik)
(Apologji). Këto vepra e lidhin atë me humanizmin. Siç përmendem Imzot Bardhi njofton
vetë se ka përkthyer edhe libra fetarë të liturgjisë, katekizma e tjerë, të cilët
sot nuk njihen, dhe se ka shkruar disa relacione për viset shqiptare, të cilat kanë
vlerë historike.
Në veprimtarinë e tij shoqëroro-politike imzot Bardhi do të
jetë në radhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t'u çliruar nga
zgjedha e huaj osmane, zhvillimit dhe përparimit të vendit e të gjuhës shqipe.
Gjendja
e mjeruar e popullit shqiptar nën sundimin e egër osman, dëshira e përpjekjet për
ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht
bariun shpirtëror imzot Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që ai i dërgonte herë
pas here Papës e Propaganda Fides në Vatikan.
Ja si shprehet në relacionin
e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos
të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq
bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks,
gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka
bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin
egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e
tyre të mbrapshta …" Relacionet e imzot Frang Bardhit kanë edhe shumë të dhëna
të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit shqiptar, për zakonet, traditën, sfidat
dhe perspektivat për një të ardhme në liri e përparim.