2010-07-01 17:04:24

Benedikti XVI i shkruan kard. Bertone. Një ndihmë e afërt për familjen e Zotit.


Papa Benedikti XVI, me anë të një mesazhi, i shpreh mirënjohjen bashkëpunëtorit të vet më të ngushtë Sekretarit të Shtetit, kardinalit Tarçizio Bertone me rastin e 50-vjetorit të meshtarisë së tij. Dioqeza e Piemontit është në festë dhe pret ardhjen e kardinalit Bertone, që u pat shuguruar meshtar nga ipeshkvi i Ivresë, Imzot Albino Mensa. Kard. Bertone do të vizitojë vendet ku ka kaluar e vepruar si meshtar, duke filluar nga Bolengo, ku asokohe gjendej konvikti ndërkombëtar salezian dhe ku bashkia ka vendosur t’i japë kardinalit titullin “Qytetar nderi”.

“Na duket e drejtë, që ndërsa po kalojmë kohë të vështira ti ta sjellësh vështrimin tek disa gjëra më të gëzuara të së kaluarës,” shprehet Papa Racinger në mesazhin e tij drejtuar kard. Bertone. Më tej, Benedikti XVI kujton etapat kryesore të misionit të zhvilluar gjatë viteve nga Sekretari i tashëm i Shtetit Bertone, duke nënvizuar “nderimin dhe pozitën e rëndësishme” që gëzon edhe gjatë papnisë së Gjon Palit II, i cili e pati emëruar kryeipeshkëv të Verçelit, por edhe më vonë kur kryente detyrën e sekretarit të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë, e kur ndërmjet kard. Bertones e kard. Jozef Racinger, epror i tij, nisi një miqësi e sinqertë.

Benedikti XVI e mbyll mesazhin e vet duke shprehur konsideratën si dhe shkaqet që e shtynë të zgjidhte kard. Bertone si Sekretar të Shtetit të Vatikanit, siç thotë Ai, “për të marrë bashkë vendimet e për të ndarë detyrat”. “Pa dyshim, - vijon më tej Papa , - ti po punon mjeshtrisht, me mish e shpirt si pjesëmarrës në projektet tona baritore që kanë të bëjnë me Kishën Universale dhe në nismat Tona që i drejtohen mbarë botës, në mënyrë që familja e Zotit të forcohet e bota të bëhet më e harmonishme.”

Ndër kremtimet e këtyre ditëve që do të kenë si protagonist kard. Bertone bie në sy ai i së nesërmes në Shenjtëroren e malit Stela në Itali, ku Sekretari i Shtetit do të kujtojë Meshën e parë kremtuar pesëdhjetë vjet më parë. Pastaj, të shtunën, në Ivrea, do të zhvillohet bashkëkremtimi eukaristik i jubileut të meshtarëve dioqezanë dhe të dielën, më 4 korrik, do të kremtohet Mesha në kishën famullitare të Romano Kanaveze, qyteti ku ka lindur kardinali, më 1 dhjetor 1934 dhe ku jetojnë të afërmit e tij.

Sidoqoftë, momenti kulmor i kremtimeve do të jetë në Romë, me Meshën e kryesuar nga vetë kard. Bertone, më 6 korrik, në orën 17.30, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.