Papa ia kushtoi audiencën e përgjithshme Shën Gjovani Kafaso-s, pajtor i të burgosurve,
duke nënvizuar rëndësinë e prijësve shpirtëror.
(30.06.2010 RV)“Kohë hiri, që i solli e do t’i sjellë fryte të çmuara Kishës”:
kështu e kujtoi sot paradite Papa Vitin Meshtarak, që sapo përfundoi; ndërsa katekizmin
e takimit të madh javor me besimtarët e shtegtarët, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit
në Vatikan, ia kushtoi një figure shumë të njohur të Kishës katolike, Shën Gjovani
Kafasos, pajtor i të burgosurve, në 150-vjetorin e vdekjes, më 23 qershor 1860, në
Torino.
Benedikti
XVI u kërkoi besimtarëve t’i kujtojnë në lutje të gjithë ata, që i janë përgjigjur
thirrjes së Zotit për të ecur në rrugën e jetës meshtarake. E, ndërmjet tyre, në grupin
e “Shenjtorëve në shërbim të shoqërisë” në Torinon e tetëqindes, spikat pikërisht
emri i Shën Gjon Kafasos, “figurë meshtarake e madhe, e ndërlikuar, e pasur me vlera”,
si e pati pikturuar Papa Piu XI në dekretin për lumnimin e tij. U shqua si mësues
e reformator i famullitarëve dhe i priftërinjve dioqezanë, në Konviktin kishtar të
Shën Françeskut të Asizit në Torino, ku themeloi shkollën e vet, që u njoh si ‘shkollë
jete e shenjtërie meshtarake”: “Mësimi i tij nuk ishte kurrë abstrakt, i
bazuar vetëm mbi librat, që përdoreshin në atë kohë, por lindte nga përvoja e gjallë
e mëshirës së Zotit dhe nga njohja e thellë e shpirtit njerëzor, aftësi që i kishte
fituar duke ndenjur gjatë në rrëfyestore e në krye të punës për drejtimin shpirtëror:
krijoi, kështu, një shkollë të vërtetë, për ta jetuar denjësisht jetën meshtarake”. Ndërmjet
shumë priftërinjve të shenjtë të shkollës së Gjon Kafasos, është edhe bashkëfshatari
i tij nga Castelnuovo Asti, Shën Gjon Bosko, i cili pati folur shumë herë për dhantitë
e mësuesit të vet, që shquhej për qetësi, zgjuarsi e urti. Por i pari, vërejti Papa,
nuk iu imponua asnjëherë të dytit, madje mësuesi e respektoi gjithnjë nxënësin, pa
e prekur kurrë në personalitet, por duke e ndihmuar të kuptojë ç’kërkohej prej tij
e si duhet t’i përgjigjej vullnetit të Zotit. Shenjë urtie kjo, nga ana e mësuesit
shpirtëror, e mendjemprehtësie, nga ana nxënësit: “Miq të dashur,
ky është mësim i çmuar për të gjithë ata, që punojnë në fushën e formimit e të edukimit
të breznive të reja; e njëkohësisht na kujton sa e rëndësishme është të kesh në jetë
një prijës shpirtëror, i cili na ndihmon të kuptojmë, atë që dëshiron Zoti nga ne”. Gjovani
Kafaso ishte gjithnjë pranë nxënësve të tij, por edhe pranë njerëzve të papërfillur,
të flakur nga shoqëria e kohës, posaçërisht, pranë të burgosurve, të cilët asokohe,
në kryqendrën piemonteze, jetonin në kushte të tmerrshme. Kujdesin më të madh njerëzor
e shpirtëror ua kushtoi posaçërisht të dënuarve me vdekje. E duhet kujtuar se shoqëroi
më se 57 të dënuar, duke ecur përkrah tyre deri tek vendi i ekzekutimit: “Prania
e tij e thjeshtë bënte mirë, qetësonte, prekte zemrat e gurëzuara nga tallazet e
jetës e, posaçërisht, ndriçonte e shkundte ndërgjegjet indiferente”.