Më 30 qershor kalendari Kishtare përkujton Protomartirët e Romës
Sot më 30 qershor është festa e martirëve të parë të Romës, festë së cilës i parapriu
hapja e 15 katakombeve në qendër e në jug të Italisë. Katakombet u hapën nga Komisioni
Papnor i Arkeologjisë kishtare, me qëllim që besimtarët e shekullit XXI të njihen
me dëshminë e besimtarëve të bashkësive të para të krishtera, martirëve të Kishës
së parë, që na lanë si trashëgim gjakun e tyre të derdhur për Krishtin.
Protomartirët
romakë e derdhën gjakun në rrethana rrënqethëse, tejet tragjike. Disa, të veshur me
lëkura egërsirash, iu hodhën qenve të uritur, të cilët i shqyen sakaq. Të tjerë u
kryqëzuan, si Mësuesi Hyjnor. Të tjerë, akoma, u ngulën në hunj e, si u lyen me peshkve,
u kthyen në pishtarë për të ndriçuar netët romake.
Rrëfimi makabër i Kornelio
Tacitit, në librin XV të Analeve të tij, përmbledh gjithë këtë mizori, gjithë këto
mundime që provuan të krishterët, duke nisur nga 19 korriku i vitit 64 mbas Krishtit,
kur në Romë shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, që shkrumboi një pjesë të mirë të kryeqytetit
të perandorisë romake, asokohe nën sundimin e zjarrvënësit Neron.
Eshtrat e
martirëve u mbartën me nderim të thellë e u varrosen në 15 katakombe të krishtera
që gjinden në Romë e në Lacio, në Toskanë, në Umbrie, në Kampanjë e në Sicili. Atje
flejnë në Hyjin Atë nën rrugët e banesat, që ngrihen mbi eshtrat e tyre, ku ecin,
punojnë e jetojnë njerëzit e shekullit të globalizimit. Njerëz përmbi eshtra, të cilat
nga nëndheu tregojnë histori sa të lemerishme, aq heroike e frymëzuese, të cilat vijojnë
të përsëriten në anë të ndryshme të botës, sepse Neroni duket sërish herë në një skaj
e herë në një skaj tjetër të Planetit. E bota shqiptare e kupton fare mirë ç’do të
thotë të kryqëzohesh e të kthehesh në pishtar simbolik, për të ndriçuar në mes të
errësirës së diktaturës, kur njerëzit rrezikohen të rrëzohen, sepse nuk shihet asnjë
dritë.
Eshtrat e kampionëve romakë të fesë flejnë ndër sirtarët e hapura në
muret e katakombeve, që simbolikisht quhen ‘bujtina’, në sa shpirtat e tyre tashmë
gëzojnë jetën e vërtetë, pasi e kaluan me sukses provën e madhe, martirizimin. E pikërisht
për ta rikujtuar këtë provim kaq të vështirë, të martën e kaluar në katakombat romake
të Shën Kalistit, Komisioni Papnor i Arkeologjisë Kishtare organizoi leximin skenik
të biografisë së disa martirëve të epokave e vendeve të ndryshme, duke nisur nga Shën
Tarçizi, tek Shën Tomas Mori.
Nismë me vlera, jashtëzakonisht aktuale, që
na kujton edhe martirët shqiptarë, të cilët u torturuan mizorisht jo shumë kohë më
parë, siç qenë torturuar martirët e lashtë: u dogjën me zjarr, u mbytën me korrent
elektrik, u flakën në gropat e ujërave të zeza, u vranë pasi u kishin sharruar këmbë
e duar, u lanë, të pushkatuar, mbi grumbujt e plehut, që t’i shikonin të gjithë e
të tmerroheshin nga pamja e tyre, u zhdukën pa gjurmë nën zajet e lumit Kir a u mbuluan,
si u kishin thyer gjithë eshtrat, në gropa të panjohura, në rrethinat e qyteteve të
mëdha e të vogla.
Në viset shqiptare s’ka katakomba, qytete të vdekurish që
shtrihen pafund qyteteve të të gjallëve, por gjithsesi nga varret e panjohura nën
dheun e trojeve shqiptare, kur e kur ndjehet zëri i atyre që derdhën gjakun në emër
të Krishtit, në pritje për t’u lartuar në nderimet e elterit, ashtu si martirët e
kohëve të para të krishterimit, sepse dhanë të njëjtën dëshmi për Krishtin Zot. Do
të ishte tepër prekës leximi skenik i biografive të martirëve shqiptarë në skenat
e varrezave, ku pushojnë në Tënzonë. Këtë na kujtojnë Martirët e parë të Romës së
krishterë!