Papa vendosi simbolin e Palios 38 kryeipeshkvijve të ri metropolitë
Sot paradite, Papa kremtoi në bazilikën e Vatikanit Meshës shenjte në solemnitetin
e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, në bashkëkremtim me 38 kryeipeshkvij metropolitë,
të cilëve u vendosi mbi supe simbolin e Palios. Po cili është simboli i Palios
gjatë historisë deri sot? Ky rit tradicional i liturgjisë papnore, pra riti
i dorëzimit e vendosjes së Palios që është një lloj shalli i bardhë, para stolë e
bardhë e që vihet mbi supe të çdo kryeipeshkvi metropolit, është një shenjë e lashtë,
sidomos në Perëndim, ku ka qenë karakteristike për papën. Nga të dhënat historike
e dimë se Papa e përdorte palion që në shekullin IV. Ka shumë mundësi që palio të
jetë simbol dinjiteti, që u dorëzohej perandorëve e që, pastaj me kohë, u kaloi ipeshkvijve.
Më vonë Roma nisi t’ua japë vetëm ipeshkvijve metropolitë, posaçërisht në kohën e
Papës Gregorit VII, menjëherë pasi kaloi viti njëmijë, kur ndjehej nevoja të kontrollohej
zgjedhja e ipeshkvijve. Që nga kjo periudhë, ipeshkvijtë filluan të vijnë në Romë
për ta marrë palion nga Papa. Më vonë palio nisi t’u jepej edhe atyre që nuk ishin
metropolitë, si shenjë nderimi. E kohët e fundit, flasim për fundin e viteve ’70,
u bë reforma e palios, sipas vendimit të Papës Palit VI. Që atëherë palio u dorëzohet
vetëm kryeipeshkvijve metropolitë e shumica e tyre e marrin më datën 29 qershor,
në solemnitetin e Apostujve Pjetër e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen shpirtërore
e kishtare të atij ipeshkvi që e merr palion me Selinë Apostolike dhe me Papën. Çka
simbolizon palio për ditët tona? Simbolika e palios ka ardhur duke u pasuruar
në rrjedhë shekujsh. Në fillim palio kishte simbolikë thjeshtë kishtare, tregonte
delen e humbur, ose më mirë të themi, bariun që e mban delen e humbur mbi supin e
majtë. Kjo palio jepet edhe tani nga Benedikti XVI. Është palio që e gjejmë në gjithë
ikonografinë, në të gjithë mozaikët e mijëvjeçarit të parë. Më pas, si kaloi mijëvjeçari
i parë, palio ndërroi formë; kuptimi i deles së humbur u zbeh deri në harresë e nisi
të vihet në formë ypsiloni mbi personin që e mbante, duke fituar kështu një kuptim
të ri. Kryqat që e stolisin palion, morën kuptimin e plagëve të Krishtit Zot, kryqat
e kuq. Karficat morën kuptimin e tri gozhdëve të kryqëzimit të Krishtit. Kështu palio
mori kryesisht domethënie kristologjike, u bë simbol i Krishtit, Bariut të mirë. Tani
i kemi të dy këto elemente së bashku. Siç dihet Palio endet me lesh qengji dhe vijon
të simbolizojë delen e humbur; ka tri karfica si dhe kryqa. Të gjitha këto shenja
tregojnë se Bariu i mirë e jep edhe sot jetën për delet e veta, për shpëtimin e tyre. Palio
është simbol i autoritetit të kryeipeshkvit metropolit, në bashkim me Kishën e Romës. Shumë
e pasur është simbolika e palios mbi të cilën spikasin pesë kryqa të qëndisur me mëndafsh
të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Palio, që simbolizon delen e humbur,
të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje
liturgjike e nderimit dhe e detyrës që Papa u ngarkon kryeipeshkvijve metropolitë.
Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga papa
palion. Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet
në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga
ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit
ka bërë betimin për besnikëri. Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale
të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak,
në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet
e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i
dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër
metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë
gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma
e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion
me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales
të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.