Papa në solemnitetin e Shën Pjetrit e Palit: Kisha pëson dëmin më të madh nga "ajo
që e ndot fenë e jetën e krishterë.
(29.06.2010 RV)Kisha kremton sot “rrënjët e veta të shenjta duke kremtuar Apostujt
Pjetër e Pal”. Në solemnitetin e Shenjtorëve pajtorë qiellor të qytetit të Romës,
Benedikti XVI kryesoi sot paradite Meshën e Shenjtë në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë
kremtimit, Ati i Shenjtë Racinger u vuri Palion e Shenjtë, simbol “i bashkimit e njësimit
me ipeshkvin e Romës”, 38 kryeipeshkvijve të ri metropolitë. Tema e lirisë së Kishës
qe në qendër të homelisë së Meshës: "Shërbimi i Pjetrit - pohoi Benedikti XVI - është
garanci e lirisë në kuptimin e plotë të aderimit në të vërtetën, në traditën autentike,
kështu që populli i Zotit të jetë i qëndrueshëm dhe i mbrojtur prej gabimeve që lidhen
me fenë dhe moralin”. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa foli mbi figurat
e shndritura të Shenjtorëve Pjetër e Pal, “themele të Kishës katolike”. Liria e
Kishës, që Krishti ia siguroi Pjetrit, shfaqet në përmasën e dyfishtë historike dhe
shpirtërore: “Zoti - pohoi Papa - është afër shërbëtorëve të tij besnik dhe i liron
nga çdo e keqe, e liron Kishën prej fuqive negative”: “Premtimi i Jezusit -
‘ fuqitë e ferrit nuk do ta ngadhënjejnë mbi Kishë - po e përshinë përvojën historike
të përndjekjeve që pësuan Pjetri e Pali dhe dëshmitarët tjerë të Ungjillit, por shkon
më tej, duke siguruar mbrojtjen e tij sidomos kundër kërcënimeve të rendit shpirtëror”. Vepra
çlirimtare e Zotit - shpjegoi Ati i Shenjtë Racinger - e shoqëron jetën e Shën Pjetrit
e Palit. Engjëlli i Zotit “ e zgjidh Pjetrin prej prangave dhe e çon jashtë prej burgut
të Jerusalemit, aty ku e pati ngujuar, nën mbrojtje të rreptë, Herodi mbret”. Zoti
i qe gjithmonë afër edhe Palit të cilin “e liroi prej shumë rreziqeve” duke e sjell
pastaj “në Mbretërinë e amshuar”. Siç shkruan Pali në Letrën drejtuar Efezianëve,
të jesh dëshmitar i Ungjillit do të thotë edhe të marrësh pjesë në betejë në emër
të lirisë e të së Vërtetës: “Në të vërtetë beteja jonë nuk është kundër mishit
e gjakut, por kundër Principatave e Pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të
errët, kundër shpirtrave të këqij që banojnë në rajonet qiellore”. Në historinë
e Kishës, që përfshinë dy mijëvjeçar, “për të krishterë kurrë nuk kanë munguar sprovat”.
Në disa periudha e vende këto sprova e mundime janë shndërruar në “përndjekje vërtetë
të tmerrshme”: “Mirëpo, këto, me të gjitha vuajtjet që shkaktojnë, nuk përbëjnë
rrezikun më të rëndë për Kishën. Dëmin më të madh, në të vërtetë, ajo e pëson nga
ajo që e ndot fenë dhe jetën e krishterë të anëtarëve të Kishës e të bashkësive të
saj, duke cenuar integritetin e Trupit mistik, duke dobësuar aftësinë e saj të profetizimit
e të dëshmimit, dhe duke ia vrugur bukurinë e fytyrës së saj”. Duke iu referuar
pastaj letrave të Shën Palit, Papa nënvizoi disa rreziqe të mëdha e të rënda. Letra
e parë drejtuar Korintianëve - pohon Benedikti XVI - “përgjigjet ndaj disa problemeve
të përçarjeve e ndarjeve, të kontradiktave, të pabesisë ndaj Ungjillit, që e kërcënojnë
seriozisht Kishën”. Letra e dytë drejtuar Timoteut flet për rreziqet e “kohëve të
fundit”, duke i identifikuar si “sjellje negative që i përkasin botës e që mund të
infektojnë bashkësinë e krishterë”: “Egoizmi, krenaria, mendjemadhësia, të dhënit
pas parasë...por përfundimi i Apostullit në këtë Letër na siguron: njerëzit që veprojnë
keq - shkruan ai - ‘nuk shkojnë shumë larg, sepse prapështia e marrëzia e tyre do
të shfaqet para të gjithëve’. Prandaj kemi garantimin e lirisë që Hyji i siguron Kishës,
lirinë si prej leqeve materiale që orvaten të pengojnë e përkeqësojnë misionin, si
prej të këqijave shpirtërore e morale, që mund të prekin autenticitetin e besueshmërinë”. Tema
e lirisë së Kishës ka edhe një tjetër lidhje me ritin e vendosjes së Palios, që sot
iu dorëzua nga Papa 38 kryeipeshkëvijve të ri metropolitë. Stolat e Palios qenë bekuar
nga Benedikti XVI dhe metropolitët një nga një shkuan para Atit të Shenjtë, i cili
u vuri mbi shpatulla Palion e Shenjtë. Në planin historik, bashkimi me Selinë
e Shenjtë Apostolike - nënvizoi Papa - u siguron Kishave lokale “lirinë nga pushtetet
e qeveritë lokale, kombëtare apo mbikombëtare, që në disa raste mund të pengojnë misionin
e Kishës”. Në fakt, çdo vit, kryeipeshkvijtë e ri metropolitë vijnë në Romë për të
marr Palion që duhet kuptuar në “domethënien e vet që ka, si gjest bashkimi”. Tema
e lirisë së Kishës, në këtë vështrim, ofron një çelës të rëndësishëm leximi: “Kjo
duket qartë në rastin e Kishës që preket nga persekutimet, apo asaj që pëson ndërhyrje
politike e sprova tjera të ashpra. Por kjo nuk është më pak e dukshme as në rastin
kur Komuniteti që pëson ndikimin e doktrinave të gabuara e devijuese, apo të tendencave
ideologjike e praktikave që janë në kundërshtim me Ungjill. Prandaj në këtë këndvështrim,
simboli i Palios bëhet një peng lirie, i ngjashëm me ‘zgjedhën’ e Jezusit, që ai na
fton ta marrim, secili mbi shpatulla të veta”. Premtimi i Krushtit, që fuqitë
e ferrit nuk do të ngadhënjejnë mbi Kishën e tij, kanë edhe “një vlerë ekumenike”
tha Papa gjatë homelisë së sotme: “Këto fjalë mund të kenë edhe një domethënie
me vlerë ekumenike nga çasti kur një nga efektet e veprës së të Keqit është pikërisht
ndarja brenda bashkësisë kishtare. Ndarjet, në të vërtet, janë simptomë e fuqisë së
mëkatit, që vazhdon të veproi në anëtarët e Kishës edhe pas shëlbimit”. “Bashkimi
i Kishës është i rrënjosur në bashkimin e saj me Krishtin, e çështja e bashkimit të
plotë të të krishterëve - që duhet kërkuar e përtërirë, prej breznie në brezni - është
e mbështetur nga lutja e tij e premtimi i tij”. Gjatë lutjes së Engjëllit të
Tënzot, pas Meshe, Papa uroi së fundi që “shembulli i Apostujve Pjetër e Pal t’i ndriçojë
mendjen e të ndezë në zemra të besimtarëve dëshirën e shenjtë për ta kryer çdo ditë
vullnetin e Zotit, në mënyrë që Kisha shtegtare mbi tokë të jetë përherë më besnike
ndaj Zotërisë së saj”.