2010-06-29 15:37:27

Benedikti XVI themelon një dikaster të ri për riungjillëzimin e Perëndimit.


Më 28 qershor Papa Benedikti XVI njoftoi se ka themeluar një Dikasteri të ri të Vatikani, Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e ri – që ka si qëllim ungjillëzimin e ri të vendeve që kanë qenë të krishtera e tani janë kthyer e bërë pré e shekullarizimit, që e refuzon dhe fsheh kuptimin e Zotit, me një fjalë, një Këshill Papnor për Ungjillëzimin e vendeve perëndimore.
Papa gjatë homelisë së mbajtur në bazilikën e Shën Palit, në kremtimin e mbrëmësores së solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, foli për një organizëm të ri, të cilin ia besoi kryeipeshkvit imzot Rino Fizikelës, kryetar i Akademisë Papnore për jetën.
“Kisha në botë është një forcë e jashtëzakonshme ripërtëritëse, sigurisht falë jo forcave të saj por forcës së Ungjillit në të cilin është i gjallë Shpirti i Shenjtë i Zotit, Hyji krijues dhe shëlbues i botës” i vetmi që mund të shuajë urinë më të madhe që ka njeriu. Në homelinë e Mbrëmësores së solemnitetin të Shën Pjetrit e Shën Palit, Benedikti XVI kujtoi shkakun, i cili që në fillim, e ka shtyrë Kishën për të ungjillëzuar:
“Edhe njeriu i mijëvjeçarit të tretë që dëshiron një jetë të vërtetë dhe të plotë, që ka nevojë për të vërtetën, për një liri të madhe, për dashuri falas. Edhe në shkretëtirat e botës së shekullarizuar, shpirti i njeriut ka etje për Zotin, për Zotin e gjallë.”
Më tej Papa theksoi se sot ka zona të botës që ende nuk janë ungjillëzuar. Ka të tjera vende që janë ungjillëzuar një herë, por kanë nevojë për një punë më të thellë. Prapë, ka të tjera vende ku ungjilli ka lëshuar rrënjë të thella prej kohësh, duke krijuar një traditë të vërtetë të krishterë, po ku, gjatë shekujve të fundit, sipas disa dinamikave të ndërlikuara, procesi i shekullarizimit ka shkaktuar një krizë të thellë të kuptimit të besimit të krishterë dhe të përkatësisë kishtare:
 
“Në këtë perspektivë – shtoi në vijim Papa Benedikti XVI – vendosa të krijoj një organizëm të ri, në formën e një Këshilli Papnor, me detyrë parësore atë të promovimit të një ungjillëzimi të ri të vendeve ku kumtimi i Lajmit të Mirë është dhënë me kohë dhe ku janë të pranishme Kisha të hershme, por që po përjetojnë një shekullarizim përherë në rritje të shoqërisë dhe një lloj “eklipsi të kuptimit të Zotit”, të cilat përbëjnë një sfidë për gjetjen e mjeteve të përshtatshme për të propozuar edhe një herë të vërtetën e përjetshme të Ungjillit të Krishtit.”

I pranishëm në kremtimin eukaristik edhe një delegacion i Patriarkatit ekumenik të Kostandinopojës, dërguar nga Bartolomeu I, i përbërë nga metropoliti i Sasimës Genadios, peshkopi i Ariancos, Bartolomaios, ndihmës i Metropolitit të Gjermanisë dhe diakoni i Selisë së Patrikut të Fanarit, Teodoros Meimaris. Delegacioni në fjalë u prit në audiencë nga Papa Racinger sot paradite.
Papën në Bazilikën e Shën Palit e pritën kryeprifti i bazilikës, imzot Françesko Monterizi, dhe Abati i kishës Dom Edmund Pauer. Përpara fillimit të kremtimit të Mbrëmësores Benedikti XVI zbriti për të nderuar varrin e Apostullit të Popujve Shën Palit që gjendet brenda në bazilikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.