Më 28 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Ireneun e Lionit, ipeshkëv e martir.
(28.06.2010 RV)Ireneu, që në shqip do të thotë Paqësor, njeri i paqes me emër
e me vepra, është figurë me rëndësi të dorës së parë në historinë e Kishës. Me origjinë
nga Azia, i lindur në Smirnë, në vitin 177 u nis nga Galileja për t’u ulur në fronin
ipeshkvnor të Lionit, duke zënë vendin e ipeshkvit martir Potinit, pak kohë pasi qe
dërguar në Romë për të sqaruar disa çështje doktrinore. Kur arriti në vend, gjysma
e priftërinjve dhe e besimtarëve të Kishës, së cilës do t’i printe, ishin martirizuar.
Mbeti i vetmi ipeshkëv për të gjithë Galinë. Ai, grek, mësoi shumë shpejt gjuhën e
barbarëve, për të ungjillëzuar popullsitë keltike e gjermanike. E atje ku nuk arrinte
zëri i tij, arrinte fjala e shkruar. Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet
jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar
për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath. E pikërisht
për këtë figurë madhore foli Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 28
marsit të vitit 2007 kushtuar ciklit mbi Etërit apostolikë të Kishës. Feja që përmbahet
në Ungjill nuk është privilegj i pak intelektualëve, por mund të kuptohet e të pranohet
nga të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve, duke
nisur nga Papa. Kështu Ati i Shenjtë Jozef Racinger iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve
të pranishëm më 28 mars 2007 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e
përgjithshme, duke folur mbi unicitetin, mbi universalitetit dhe frymëzimin hyjnor
të krishterimit, ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i
Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnostike. Duke kujtuar
cilësitë e ipeshkvit të lashtë francez, Papa e quajti Ireneun “kampion të luftës kundër
herezive” dhe prelat të aftë për të ripohuar “konceptin e pastër të traditës apostolike”
Papa Racinger citoi edhe fjalët që i pati përdorur Ireneu për t’i kundërshtuar
heretikët: “Kisha, megjithëse e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e
apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën
mënyrë, beson në këtë të vërtetë, si të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të
vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton si të
kishte një gojë të vetme”, duke pasur mirë parasysh se tradita apostolike është “e
frymëzuar nga Shpirti Shenjtë”. Shën Ireneu i Lionit: në audiencën e përgjithshme
të Papës Benediktit XVI, në ciklin e katekizmit mbi Etërit apostolikë (28.03.07
RV) Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj për pak intelektualë, por është
e arritshme dhe e pranueshme për të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve,
pasardhësve të Apostujve, duke u nisur nga Papa. Kështu Ati i Shenjtë Jozef Racinger
iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve të pranishëm sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit
në Vatikan për audiencën e përgjithshme, duke folur mbi unicitetin, mbi universalitetin
dhe frymëzimin hyjnor të krishterimit ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën
Ireneu ipeshkëv i Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnjostike. “
Mësimi i vërtetë është ai që japin ipeshkvijtë, të cilët mund të provojnë se e kanë
marrë përmes një tradite të pashkëputshme nga Apostujt”. Pohimi i këtyre fjalëve,
pak para dymijë vjetësh, i mundësoi Ireneut ipeshkëv të Lionit të hedh poshtë mendimin
sektar të gnostikëve që shkonin duke predikuar një krishterim të tipit “elitar, intelektualist”.
Sipas tyre e vërteta e Ungjillit mund të kuptohej vetëm nga grup i vogël, përbërë
prej intelektualësh e njerëzish të ditur, duke u lënë turmave e të njerëzve të thjeshtë
simbolizmin, pasi sipas tyre, ata nuk janë në gjendje ti kuptojnë gjërat e vështira
të doktrinës. Benedikti XVI kujtoi dhe lavdëroi cilësitë e Ireneut, ipeshkvit
të lashtë francez, të cilin Papa e quajti “kampion të luftës kundër herezive” dhe
të aftë të ripohoi “konceptin e pastër të traditës apostolike”: “Tradita apostolike
është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja
e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej apostujve e prej
Jezusit, Birit të Zotit. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron
ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë
që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë
deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve”. Në këtë traditë, ripohoi në vazhdim
të katekizmit të audiencës së sotme Benedikti XVI, “duhet konsideruar në mënyrë të
posaçme mësimi i Kishës së Romës, i Kishës kryesore e tejet të lashtë, e cila – tha
Papa – ka ‘apostolicitetin më të madh’ sepse e ka zanafillën e saj prej vetë ‘shtyllave’
të Kolegjit apostolik: Pjetrit e Palit”. E prej tyre, deri tek ipeshkvijtë e sotëm,
Tradita apostolike dëshmon edhe një tipar tjetër: atë të “unicitetit”. Për ta përshkruar
këte, Papa përdori të njëjtat fjalë që i pati menduar Ireneu për t’i kundërshtuar
heretikët: “Kisha, megjithëse është e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes
fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën
mënyrë, beson në këtë të vërtetë sikur të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të
vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton sikur
të kishte vetëm një gojë”. Tradita apostolike, së fundi, ka një tipar të tretë:
ajo është “e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë” tha Papa gjatë katekizmit të audiencës
së përgjithshme kushtuar figurës së Shën Ireneut: “Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë,
për një transmetim që i besohet aftësisë e shkathtësisë së njerëzve pak a shumë të
përgatitur mirë e të mençur, por është Shpirti i Zotit ai që garanton besnikërinë
e transmetimit të fesë. Kjo është jeta e Kishës, kjo është ajo që Kishën e bën kurdoherë
të freskët e të re, të frytshme në karizma të shumta”.