2010-06-27 12:32:27

Sot, në Kfifan të Libanit u shpall i lum Stefan Nehmé, rregulltar i Urdhërit libanez të Maronitëve.


(27.06.2010 RV)Kremtim solemn sot në Liban. U shpall i lum Stefan Nehmé, rregulltar i Urdhërit libanez të maronitëve. Liturgjinë, me ritin e lumnimit, e kryesoi kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Benediktit XVI.
I lindur në mars të vitit 1889 në fshatin Kfifan, hyri shumë shpejt në kuvendin e Shën Çiprianit e të Shën Justinës, të Urdhërit libanez maronit, në fshatin e lindjes. Si u përgatit për jetë rregulltare, ndërroi emrin e pagëzimit, Jozef në Shtjefën. E kaloi jetën në kuvende të ndryshme, duke bërë punë bujqësore, blegtorale, artizanale e sidomos, duke u lutur; duke u kujdesur më shumë për të tjerët, sesa për vete; duke medituar, duke thënë Rruzaren, duke mbartur me durim, çdo ditë, kryqin e vet, aq sa të bëhej shembull i shkëlqyer shenjtërie, që më të gjallë. Bujk, blegtor e zdrukthëtar, u kujdes në radhë të parë të çonte lajmin e mirë të Ungjillit në vendet ku punonte. Në përshpirtërinë e tij shquhen disa shprehje, që meritojnë të kujtohen çdo çast nga të gjithë besimtarët: “Zoti më shikon!”. “I lumi ai që stoliset me shkencën, e cila të çon te Zoti”; “Dashuria nuk ka nevojë për shumë dije, sepse buron drejtpërdrejt nga zemra”.Ta ndjekim, pra të Lumin e ri, me bindjen se “Zoti na shikon në çdo hap, në çdo lëvizje, në çdo vepër që bëjmë. Syrit të tij nuk i shpëton asgjë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.