Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit “C”
Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit
të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të
dielës së 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë
kishtare. Tema kryesore që përshkon leximet biblike, e në mënyrë të posaçme leximin
e parë ( 1Mbr 19,16-19-21) dhe ungjillin ( Lk 9.51-62), është thirrja e Zotit. Përcaktimi
për Krishtin, ndjekja e Mësuesit Hyjnor, dëshmimi I fesë në Hyjin janë tematikat që
trajtojnë leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele. Pra, Hyji na fton
ta ndjekim deri në fund, madje edhe në vuajtje e në sprova të jetës. Në të vërtetë
çdo njeri, në mënyrë të mistershme, në jetën e vetë e dëgjon, e merr thirrjen nga
Zoti. Për besimtarët e krishterë, që nga dita e pagëzimit Hyji nuk pushon së përsërituri
secilit prej nesh fjalën vendimtare: “Më ndjek!”, “Eja pas meje!”. Gjatë jetës
sonë, që nga fëmijëria, sa herë e kemi dëgjuar këtë thirrje..”Hajde,…ec…pas meje…”
Pastaj, kur jemi rritur në moshë, kjo thirrje disesi është zbehur e ndoshta ndoshta
edhe na ka mërzitur. Po, sepse thirrja e Zotit nuk është thirrja çfarëdo, thirrja
e Zotit është thirrje që kërkon tërë jetën, gjithçka kemi… kërkon shkëputjen e prerë,
shkëputjen e menjëhershme dhe totale nga çdo person e nga çdo gjë që kemi në jetë.
Pra, kërkon të heqim dorë e të distancohemi nga çdo gjë e gjithçka kemi. Pastaj thirrja
e Zotit kërkon përkushtimin e plotë udhës së Tij Hyjnore, ndjekjes së Mësuesit Hyjnor,
dëshmimit të fesë. Kërkon vendimin apo përcaktimin absolut. Sikur thamë më parë
thirrja e Zotit është kërkuese, kërkon gjithçka sepse jep gjithçka. Po, thirrja e
Zotit i drejtohet çdo njeriu dhe më çdonjërin ka plane të posaçme, secilit prej nesh
i beson një mision. Mirëpo sikur thamë ndodhë që nganjëherë thirrja e Hyjit na duket
tepër e madhe, tepër pretenduese, tepër e rëndë… madje na duket sikur na heq lirinë
e personaliteti. Përse duhet të ndjek ndonjërin e në posaçërisht Hyjin? Sepse thirrja
e Jezusit “Eja pas meje”, larg nga shkatërrimi i personaliteti, sjell më tepër liri,
kuptim e shije në jetë. Sepse, siç thotë Shën Pali në leximin e dytë:”Krishti na liroi
që të mbeteshim vërtet të lirë…Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri!”. Po
çfarë përmban kjo thirrje e Krishtit? Është një thirrje për t’i shërbyer Jezusit në
misionin e tij shpëtimtar. Është një thirrje për t’i shërbyer të tjerëve në dashuri.
Jezusi ka thirrur apostujt për t’i shërbyer të tjerëve, të gjithë njerëzimit me respekt,
dashuri e mirësi. Po të njëjtën thirrje ia drejton çdo njërit prej nesh, në mënyrë
që të përhapet Lajmi i Mirë, Ungjilli, Fjala e jetës. E tani ti dëgjojmë leximet
biblike të së dielës së 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë e pastaj homelinë
nga dom Damjan Kurti, famullitar i Kishës së Shën Luçisë në Durrës…. Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 1 Mbr 19, 16.19-21
Elia ka
takuar Hyjin në vetmi, ai gjen përsëri kuptimin e misionit të tij duke formuar popullin
në besimin në të vetmin Hyj dhe duke gjetur një pasardhës që vazhdon misionin e tij.
Ai do të jetë Elizeu, të cilit i lë mantelin e vet, simbol i personalitetit të tij
dhe i fuqive të tija. Elizeu braktis gjithçka për ta ndjekur, ashtu siç do të bëjnë
apostujt.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në ato ditë,
Zoti i tha Elisë: “Elizeun, birin e Safatit, që është në Abelmehulë, shuguroje profet
në vendin tënd.” U nis, pra, prej andej Elia dhe e gjeti Elizeun, birin e Safatit,
duke lëvruar me dymbëdhjetë pendë qe; Elizeu ishte tek e dymbëdhjeta pendë. Kur
u afrua Elia tek ai, e hodhi leshnikun e vet mbi të. Ky menjëherë i la qetë, vrapoi
pas Elisë e i tha: “Më lejo, të lutem, të merrem ngrykë me babën e me nënën time dhe
atëherë po vij pas teje.” Ai i tha: “Hajt e kthehu! Sepse e di se çka kam bërë me
ty!” U kthye prej tij, mori një pendë qe i preu fli. Me veglat e lëvrimit e zjeu mishin
dhe ua dha njerëzve ta hanin. Mandej u çua, shkoi pas Elisë dhe u vu në shërbimin
e tij. Fjala e Zotit.
Psalmi 16
Ti, o Zot, je e mira
ime ---- ---- ---- Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore! I thashë
Zotit: “Ti je Zoti im, tjetër të mirë nuk kam veç teje!” Zoti është pjesa e
trashëgimit tim dhe gota ime, në dorën tënde është fati im! ---- ----
---- E bekoj Zotin që më këshillon: edhe natën veshkat e mia më mësojnë. Zotin
e kam gjithmonë para sysh, më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem! ----
---- ---- Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, mbarë trupi im pushon
në qetësi. S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë, as s’do të lejosh që Shenjti
yt të kalbet në dhe. ---- ---- ---- Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin
e plotë para fytyrës sate, kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde. ----
---- ----
Leximi i dytë Gal 5, 1.13-18
Pali deklaron që ne gjendemi
në kohën e lirisë, përderisa Krishti ka paguar çmimin e nevojshëm për të na çliruar.
Të jesh i lirë nuk do të thotë të bësh çdo gjë, por të zgjedhësh kriterin që do të
drejtojë të gjithë jetën tënde: të qëndrosh nën sundimet e pasioneve të botës apo
të kërkosh bashkimin me Hyjin; të preferosh dashurinë e ekzagjeruar për veten apo
gëzimin për të ndërtuar marrëdhënie dashurie dhe sinqeriteti me të tjerët.
Lexim
prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, Krishti
na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë
në zgjedhën e skllavërisë! Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por kini
kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por me dashuri shërbeni
njëri-tjetrit! Sepse i tërë ligji përmblidhet në këtë urdhër: “Duaje të afërmin tënd
porsi vetveten!” Nëse njëri-tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni shoqishoqit
jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri-tjetrin! Dua të them: jetoni
nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut.
Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton
mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin, që të mos bëni çka
dëshironi. E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar ligjit. Fjala e Zotit.
ALELUJA,
Aleluja. Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush beson në mua do ta ketë
dritën e jetës. Aleluja
Ì Ungjilli Lk 9, 51-62
Jezusi
pranon përfundimisht vdekjen që duket në horizont. Ai drejtohet drejt Jerusalemit,
për të përfunduar në një vetmi dramatike, misionin e shpëtimit që Ati i ka besuar.
Por dishepujt e Jezusit janë të paaftë ta pranojnë vdekjen e tij dhe kërkojnë
ta shmangin, madje do të donin të përdornin dhunë për të ndërtuar Mbretërinë e Hyjit.
Jo vetëm apostujt, por çdo njeri duhet të ngjitet në Jerusalem pas Jezusit, duke pranuar
të gjitha pasojat dhe rreziqet.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Kur
erdhi koha që Jezusi të jetë ngritur nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të
shkojë në Jerusalem. Përpara i dërgoi lajmëtarët e vet. Këta shkuan dhe hynë në një
fshat samaritanësh për të përgatitur ardhjen e tij. Por ata s’deshën ta pranojnë aty,
sepse ishte nisur për Jerusalem. Kur e panë këtë gjë, nxënësit – Jakobi e Gjoni –
thanë: “Zotëri, a do të urdhërojmë që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhbijë?” Jezusi
u kthye kah ata dhe i qortoi. Dhe u nisën për një fshat tjetër. Ndërsa po bënin rrugë,
një njeri i tha: “Unë dua të vij pas teje kudo që të shkosh!” Jezusi i përgjigji:
“Dhelprat i kanë strofujt e vet, edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse Biri i njeriut
nuk ka ku ta mbështesë kokën!” Një tjetri i tha: “Eja pas meje!” Por ai i përgjigji:
“Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!” “Lëri – i përgjigji Jezusi
– që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet, e ti shko e prediko Mbretërinë e
Hyjit!” Atëherë i tha një tjetër: “Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë
të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.” “Kushdo – i përgjigji Jezusi
– që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për
Mbretërinë e Hyjit!” Fjala e Zotit.