2010-06-27 13:34:02

Hapa përpara në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Vietnamit: Papa do të emërojë një përfaqësues jo rezident në Vendin aziatik.


(27.06.2010 RV)Së shpejti Papa do të emërojë përfaqësuesin e tij jo rezident në Vietnam. Është ky hapi kuptimplotë përpara në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e vendit aziatik, arritur pas takimit të dytë të grupit të përbashkët të punës, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të të dy shteteve, organizuar në Vatikan, më 23 e 24 qershor 2010.
Hapi i parë për t’i thelluar më tej këto marrëdhënie, që nisën me takimin e grupit të parë të përbashkët të punës, në Hanoi, në shkurt 2009 e vijuan me takimin ndërmjet Benediktit XVI e Presidentit të Vietnamit Nguien Minh Triet, në dhjetor 2009, lexojmë në një notë zyrtare, është emërimi nga ana e Papës, i një përfaqësuesi jo rezident të Selisë së Shenjtë në Vietnam.
Gjatë dy ditëve të punës në Vatikan, pohohet në dokumentin zyrtar, delegacioni vietnamez kujtoi se në vendin aziatik tashmë ndiqet vija politike e respektimit të lirisë së fesë e të besojmës e se janë bërë hapat ligjore për ta garantuar e për ta vënë në jetë një vijë të tillë.
Delegacioni i Selisë së Shenjtë kërkoi të krijohen kushte të reja, që e mundësojnë Kishën të marrë pjesë më gjallërisht në zhvillimin e vendit, posaçërisht në fushën shpirtërore, edukative, shëndetësore, shoqërore e bamirëse.
Kujtojmë se termi rezident përdoret në diplomaci për përfaqësues diplomatikë, që janë në një shkallë më të ulët se ministri fuqiplotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.