Solemniteti i Shenjtorëve Pjetër e Pal, më ‘romakja’ mbi të gjitha festat. Reflektim
i atë Federiko Lombardit.
(27.06.2010 RV)Një festë, që flet për bashkim me Papën, për ekumenizëm, për
lidhje me Romën. Solemniteti i Shën Pjetrit e Shën Palit, Apostuj, që do të kremtohet
më 29 qershor, i përfshin të gjitha këto, që prej shumë e shumë kohe. Kremtimi do
të fillojë natën e festës, me lutjet mbrëmësore, kryesuar nga Benedikti XVI në bazilikën
romake të Shën Palit jashtë mureve, në orën 18.00, e do të vijojë me Meshën solemne
në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, të martën e ardhshme, në orën 9.30. Për kuptimin
e këtij solemniteti, të dëgjojmë drejtorin e përgjithshëm të Radios sonë, atë Federiko
Lombardi:..... “Festa
e Shenjtorëve Pjetër e Pal është ‘më romakja’ ndërmjet festave. Në të vërtetë Roma
është kjo që është për Kishën universale, pikërisht sepse vend i martirizimit dhe
i varreve të dy apostujve të mëdhenj. Në këtë festë, në Romë vijnë kryeipeshkvijtë
e rinj, të emëruar gjatë vitit, për të marrë nga dora e Papës ‘palion’, të cilën do
ta mbajnë mbi shpatulla gjatë kremtimeve liturgjike, si shenjë bashkimi me të, në
udhëheqje të kishave të tyre e në kujdesin për bashkimin e Kishës universale. Paliot
ruhen në kamaren më pranë varrit të Pjetrit, nën elterin qëndror të bazilikës, pikërisht
poshtë kupolës së madhe, ku rreh zemra e bashkimit të Kishës. Në këtë festë,
në Romë vjen edhe një delegacion i Patrikut ekumenik të Kostandinopojës, për të shprehur
vëllazërimin ndërmjet Kishave ortodokse e Kishës katolike, me shpresën e bashkimit
më të plotë. Nga Roma, qysh prej dymijë vjetësh, drejtohen sytë e atyre,
që besojnë, shpresojnë e punojnë për bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin.
Në Romë shtegtari vjen për të rigjetur dëshmitë e kësaj historie të trazuar, plot
pasion, për bashkim. Vështrimi i Apostujve, të nderuar e të pranishëm këtu, që nga
kohët më të lashta, siç e dëshmojnë edhe zbulimet e kohëve të fundi në katakombet
e Shën Teklës, na shoqëron në udhën tonë. Feja e fortë e pasardhësit të Pjetrit, leximi
që i bën ngjarjeve, i prirë nga Shpirti Shenjt, mbetet pikëmbështetja më e sigurtë
për ke dëshiron të ndjekë Jezu Krishtin, së bashku me besimtarët e tjerë, në rrjedhën
e përditshme të ngjarjeve të historisë sonë”.