2010-06-26 19:53:49

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(27.06.2010 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të dielën e XIII të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.
Përkujtoi edhe Shën Qirilin e Aleksandrisë, ipeshkëv e dijetar i Kishës.

Nesër, e hënë, në kalendar shënohet festa liturgjike e Shën Ireneut, ipeshkëv i Lionit e martir. Është edhe nata e solemnitetit të Kryeapostujve Pjetër e Pal. Nisin kremtimet papnore në bazilikat e mëdha të Romës e në të gjitha Kishat e botës kushtuar Apostujve të mëdhenj, që na ftojnë të lutemi: “Fali, o Zot pabesitë e popullit tënd!”.

Liturgjia e së martes është ajo e festës së Shën Pjetrit e Shën Palit Apostuj, Pajtorë të Romës. Kujtojmë se trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, që mban emrin e tij e që është zemra e Kishës katolike universale; ndërsa trupi i Shën Palit, në Bazilikën me emrin e Apostullit të Popujve, jashtë mureve të Romës, atje ku pësoi martirizimin me prerjen e kokës. Dje të martirizuar, sot ndër Shenjtorët më të nderuar të Kishës katolike. Bekuar qoftë Zoti, që i çliron miqtë e tij- brohorisim me Psalmistin!

Martirët e parë të Kishës romake, që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë se vetëm njeriu, i cili ecën në rrugë të drejtë, do të shohë shpëtimin e Zotit.

 
“Gjykimet e Zotit janë besnike e të drejta”. Është meditimi kryesor, që përshkon liturgjinë festës së Shenjtorëve Juli e Aroni, martirë të Bretanjës dhe Shën Aroni, vëllai i Mosiut, prift i Besëlidhjes së Vjetër, që do të kremtohen të enjten.

Të premten përkujtohen Shenjtorët Bernardini e Otoni; Procesi e Martiniani, martirë romakë dhe Shën Eutiki, martir. Na kujtojnë, me liturgjinë e festës e sidomos, me jetën e tyre, se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit!

“Atij që beson në Zotin, nuk do t’i mungojë, një ditë, shpërblimi i Tij, më i madhi ndërmjet shpërblimeve: jeta e pasosur në Krishtin Jezus!”. Është ky meditimi kryesor i liturgjisë në festën e Shën Tomës Apostull, që do të kremtohet të shtunën.

E diela e ardhshme është e XIV e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.