2010-06-26 19:55:56

Shembëlltyrat: “Ç’ kuptim ka fjala shembëlltyrë?”.


(27.06.2010 RV)Po fillojmë një rubrikë të re, me disa emisione, kushtuar shembëlltyrave ungjillore, natyrës së tyre figurative e kuptimit të tyre. Ndalemi tek shembëllyrat, për t’i njohur më nga afër, duke pasur parasysh se kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gjithë historinë e mendimit perëndimor e, në përgjithësi, në gjithë letërsinë botërore, duke nisur nga koha, kur u treguan për herë të parë, gjatë predikimit publik të Jezu Krishtit. E, posaçërisht sepse përmes tyre, Jezusi vijon të na mësojë edhe ne, njerëzit e kohëve moderne. E do të vijojë deri në mbarim të kohëve!

Në hebraishte mãšãl; παραβολή në greqishten e vjetër, parabol e proverb në Vulgatë, shembëlltyrat janë tregime të shkurtëra, që vënë ballë për ballë dy fenomene, për ta bërë sa më të kuptueshëm njerin prej tyre. Nuk ishte Jezusi autori i parë. Shembëlltyrat përdoren para e pas tij.
Me natyrën figurative të similitudës, apo të krahasimit të gjatë, janë lloj letrar, që nis të duket që në letërsinë e lashtë greke e pastaj në atë latine. I gjejmë në veprën e Aristotelit “Rhetoricorum”, (libri II, 20); pastaj në ‘De invenzione” të Ciceronit ( I,30) , e në shumë vepra të tjera të lashtësisë. Përdoren edhe nga shkrimtarët rabinikë e, në mënyrë të paarritshme, nga Jezu Krishti, në predikimet e tij publike. Bazohen mbi një krahasim, që shtrihet gjatë gjithë rrëfimit të shkurtër të një ngjarjeje të zakonshme, për të ngulitë një të vërtetë morale ose shpirtërore. Dallohen nga shembulli i thjeshtë për formën e tyre letrare, që mbështetet mbi krahasimin e shpesh, edhe për gjatësinë e tyre.
Subjekti i krahasimit ose i figurës së paraqitur, zakonisht merret nga jeta njerëzore, ndryshe nga përrallat, që merren kryesisht me botën e kafshëve ose të bimëve. Dallohet nga alegoria, ndonëse nuk i mungojnë elementet alegorike.
Shembëlltyra biblike nis të përdoret që në Besëlidhjen e Vjetër, posaçërisht në librat sapiencialë. Zakonisht termi përdorej me kuptimin e një maksime të shkurtër, që kishte për qëllim të shprehte një të vërtetë të përgjithshme. Paraqitej në formën e fjalëve të urta ose të krahasimeve. Gjithsesi, në Besëlidhjen e Vjetër nuk gjejmë shembëlltyra të mirëfillta, ndonëse nuk mungojnë alegoritë me elemente shembëlltyre. Por shembëlltyrat e mirëfillta i gjejmë kryesisht në Ungjijtë sinoptikë. Përdoren nga Jezusi me një finesë letrare, që të mrekullon. Prandaj ushtruan ndikim të vazhdueshëm mbi zhvillimin e letërsisë botërore.
Shembëlltyrat janë plot gjallëri. E tërheqin fuqimisht vëmendjen e dëgjuesit e, të marra së bashku, përbëjnë një dokument tejet të rëndësishëm për të njohur jetën në Palestinë, në kohën kur predikoi Jezusi. Tejet origjinale në këndvështrimin letrar, nuk janë gjithnjë të lehta për t’u interpretuar. Për të arritur tek shpjegimi i tyre i drejtë, duhen parë lidhur ngushtë me kohën e mësimeve të Jezusit. Në periudhën patristike e më pas, u bënë përpjekje për t’i shpjeguar përmes kritereve të interpretimit alegorik, duke u ndaluar tek kuptimi i mundshëm figurativ e i çdo fjale. Por një ecuri e tillë e bën tejet të vështirë kuptimin. E duhet kujtuar se Jezusi nuk u foli dijetarëve, por turmave të njerëzve të thjeshtë. U foli e vijon t’u flasë.
Prandaj kritika moderne nisi t’i shpjegojë shembëlltyrat si tregime imagjinare, me subjekt nga jeta e përditshme, realiste, që e nxisin dëgjuesin të kuptojë ç’dëshiron të thotë Jezusi e, sidomos, të mbajë edhe qëndrim ndaj fenomenit, për të cilin flitet.
Pasi kemi shpjeguar ç’do të thotë shembëlltyrë, na dalin, në vijim, një mori pyetjesh, të cilat do të përpiqemi t’i shpjegojmë në emisionet kushtuar shembëlltyrave ungjillore.
Së pari, sa shembëlltyra ka në ungjijtë? Ç’i dallon shembëlltyrat e Jezusit? A ka e sa janë shembëlltyrat alegorike? Shembëlltyrat që kanë arritur deri në ditët tona, janë të vetë Jezusit, apo të përpunuara prej ungjilltarëve, në përkim me kërkesat e bashkësive të krishtera, për të cilat i shkruan ungjijtë? Ç’lidhje ka ndërmjet shembëlltyrave të ungjijve sinoptikë e atyre që gjinden në Ungjillin (gnostik) të Tomës? E, së fundi, ç’dëshron t’i thotë secilit nga ne Jezusi përmes shembëlltyrave. Përgjigjja, në emisionet e ardhshme!







All the contents on this site are copyrighted ©.