Me 17 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Qirilin e Aleksandrisë.
(27.06.2010 RV)Kisha katolike përkujtoi sot një nga Shenjtënt me emrin Qiril,
atë të Aleksandrisë. I lindur në vitin 370, nga viti 412 e derisa vdiq, në vitin
444, mbajti me guxim në duar frenat e Kishës së Egjiptit, duke e kryer misionin e
tij ipeshkvnor në një nga periudhat më të vështira të jetës së Kishës lindore, në
luftë për ruajtjen e ortodoksisë, në emër të papës Çelestini. E pikërisht në këtë
qëndrim plot vendosmëri në shërbim të doktrinës e në guximin me të cilin mbrojti të
vërtetën katolike, shikojmë shenjtërinë e ipeshkvit luftarak të Aleksandrisë, që u
njoh vonë në perëndim. Kulti i tij u përhap në mbarë Kishën vetëm nën Papninë e
Leonit XIII. E po atëherë iu dha edhe titulli doktor i Kishës, duke iu njohur kontributi
në mbrojtje të ortodoksisë, kundër gabimeve të Nestorit, ipeshkëv i Kostantinopojës,
ndonëse nën kërcënimin e burgut e të internimit. “Ne – shkruan Shenjti – për të mbrojtur
fenë e Krishtit, jemi gati të përballojmë gjithçka: zinxhirët, burgun, të gjitha trazirat
e jetës e edhe vetë vdekjen”. Në Konçilin e Efezit, ku Shën Qirili ishte protagonist,
kundërshtari i tij, Nestori, që kishte shkaktuar një stuhi të vërtetë në Kishë, duke
vënë në dyshim amësinë hyjnore të Marisë, doli përfundimisht nga skena. Me këtë rast
Shenjti hartoi një teologji të qartë e të vërtetë të Mishërimit të Krishtit. Kundërshtar
i klasit të parë, Qirili nuk e kurseu kurrë dhantinë e fjalës, me të cilën e kishte
pajisur Zoti, në mbrojtjen e të vërtetave të fesë, së cilës i shërbeu edhe si teolog
i mprehtë e si bari shpirtrash, duke na lënë trashëgim 156 homeli të famshme mbi Shën
Lukën si dhe letrat e tij të njohura baritore, shprehur në 29 homeli të mbajtura
në periudhën e Pashkëve.