Liderët e G20 mblidhen në Toronto për të shpëtuar ekonominë.
(25.06.2010 RV)Udhëheqësit e G8 janë tashmë në Hunsville, qytezë e rrethuar
me pyje, në breg të liqenit të Ontarios, 150 kilometra larg Torontos, ku do të zhvendosen
nesër për të marrë pjesë në takimin e udhëheqësve të 20 ekonomive më të rëndësishme
të botës, që do të vijojë deri më 27 qershor. Në qendër të vëmendjes: masat për përballimin
e krizës dhe përshpejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Krerët e shteteve
dhe zyrtarët më të lartë të financave do të shkëmbejnë mendime për monedhën, tregëtinë
dhe defiçitin buxhetor. Do të analizojnë krizën evropiane të borxheve, rregullat për
firmat financiare, taksat, veprimtarinë e bankave e çështje të tjera, pa harruar problemet
më të mprehta të politikës ndërkombëtare, nga situata në Lindjen e Mesme, tek ajo
në Afganistan; nga Irani, tek terrorizmi e tek siguria e ndihma që u duhet dhënë vendeve
më të ligështa. Sot paradite në Hunsville arritën edhe presidenti amerikan, Obama,
e ai rus, Medvedjev, pas takimit të djeshëm në Shtëpinë e Bardhë. Për të na
folur mbi këtë takim të rëndësishëm, me ndikim mbi gjithë ekonominë botërore, ftuam
në mikrofonin tonë, drejtorin e Institutit Evropa të studimeve të politikës ndërkombëtare,
Antonio Vilafranka:
Përgjigje:
- Duke nisur nga 2009, nga Pitsburgu, G20 tashmë është bërë forum ndërkombëtar,
në të cilin diskutohen çështjet ekonomike. G.8 do të kufizohet, pra, në takimin përgatitor.
Në G8 mbeten disa tema të posaçme, si ato që lidhen, për shembull, me ndihmat për
zhvillim. Shpresojmë se në këtë drejtim, kësaj radhe nuk do të ketë vetëm premtime
të bujshme, por do të thuhet diçka më konkrete. Mbetet, pastaj, problemi i politikës
së jashtme, i sigurisë posaçërisht, i përhapjes së armëve bërthamore, i terrorizmit.
Të gjitha këto tema do të diskutohen, ndonëse nuk duhet të presim, objektivisht,
rezultate shumë konkrete, edhe pse në takimin e madh është një vend, si Rusia, që
ka vizion krejt të veçantë mbi këto tema.
Pyetje: - Sunduese në
takim janë probelemet ekonomike. Nuk do të mungojnë divergjencat lidhur me vënien
e taksave e të rregullit mbi bankat e mbi tregjet, me masat antikrizë e posaçërisht,
me divergjencat Evropë–SHBA: Do të jetë kjo, bërthama e debatit?
Përgjigje:
- SHBA e Evropa paraqiten duke u nisur nga situata të ndryshme: SHBA, me
shenjat e druajtura të rritjes, Evropa, me ato të një një krize ende të thellë, që
rëndon posaçërisht mbi Eurozonën. Bashkimi Evropian paraqitet në takim i dobtë e ka
shumë mundësi të ndeshet me SHBA, kur të bëhet fjalë për hapat që duhen bërë për të
dalë nga kriza.
Pyetje: - Po roli i Kinës, cili do të jetë, sipas
jush?
Përgjigje: - Sigurisht do të ketë hapësirë të madhe
për vendet emergjente, me një Kinë, që është e vetëdijshme se prishja e ekuilibrit
ndërkombëtar, mbi të cilin ka ndikuar, i bie ndesh interesave të saj. Është e qartë
se Kina do të kërkojë më shumë hapësirë, e në se nuk i jepet, institucionet ndërkombëtare
do të funksionojnë edhe më keq, ose edhe më pak, pikërisht sepse nuk janë në gjendje
ta kryejnë si duhet detyrën e tyre. Duhet përballuar problemi më i mprehtë: ai i
një qeverisjeje botërore, në të cilën Bashkimi Evropian duhet të ketë rolin e vet,
pa harruar edhe Kinën. Në sa problemi ka të bëjë me rolin e SHBA e me atë të aktorëve
të rinj të mëdhenj ndërkombëtarë, që kërkojnë vendin e tyre. Prej këndej, rreziku,
që të mos arrihen rezultate konkrete, është vërtetë e ndjejshëm.
Udhëheqësit
e G20 drejtojnë vende ku jetojnë dy të tretat e popullsisë së botës, të cilat sigurojnë
90% të prodhimit ekonomik dhe 80% të tregëtisë botërore. Të përfshirë nga kriza financiare
globale, ndjejnë nevojën për të gjetur rrugë më efikase për normalizimin e veprimtarisë
së firmave financiare, rrugë që mbeten ende të papërcaktuara. Disa ministra financash
po u bëjnë thirrje bankave të pakësojnë kreditë dhe të mbajnë më shumë kapital në
dispozicion në rast se një hua ose investim del pa sukses. Ide të tjera përfshijnë
uljen e huasë që marrin bankat për investime dhe gjetjen e mënyrave për të përballuar
problemin e kompanive financiare të dështuara, duke minimizuar dëmin mbi pjesës tjetër
të ekonomisë. Pritet që në takim udhëheqësit të vendosin për t’u vënë taksa bankave,
në mënyrë që të mbulojnë koston e problemeve të ardhshme financiare. Takimi i
Torontos do të jetë shumë i rëndësishmëm për të analizuar situatën e tanishme dhe
për të parë mundësinë e miratimit të rregullave të reja që do të miratohen përfundimisht
në Seul. E kjo sepse pa bashkëpunim, vendet e 20-es e kanë tepër të vështirë
t’i mbajnë nën kontroll firmat a tyre financiare. E kjo, sepse institucionet financiare
veprojnë përtej kufijve, janë shumë-kombëshe, globale, prandaj duhet të ketë rregulla
globale për ta përballuar çdo rrezik krize. E kriza evropiane e borxhit është një
nga çështjet kryesore të takimit të 20-es. Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu
për pabarazitë e tregëtisë globale, duke vënë theksin tek mungesa e ekulibrit, që
bëhet burim burim tensionesh politike ndërmjet vendve të ndryshme. Udhëheqësit
e tetë vendeve më të industrializuara të njohura si Grupi i Tetëshes, i nisën sot,
në pikën turisitike të Hunsvill-it në Kanada, diskutimet paraprake mbi çështjet që
do të analizohen, sidomos nesër, në Toronto, ku do të mbahet takimi i 20-es..