2010-06-24 18:25:45

Çelësi i fjalëve të Kishës (emisioni i 56-të).


(24.06.2010 RV)Bie sot, të dashur dëgjues, festa kishtare e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, shenjtit, që përmes pagëzimin në ujrat e lumit Jordan, predikonte kthimin në rrugën e Zotit dhe i hapte rrugën Krishtit, atij që do të pagëzonte me Shpirt Shenjt. Uji pra, është element i rëndësishëm i Sakramentit të Pagëzimit e pikërisht për këtë, për “ujin”, do të flasim sot.


Uji në Bibël – ashtu si edhe për fetë e tjera – nuk është vetëm prani fizike dhe e çmuar, por është sidomos një simbol i madh shpirtëror. Janë të paktën 1500 pjesët biblike “të lagura” me ujë dhe shpesh ndeshim burime, lumenj e dete (term që evokon edhe liqenin), por edhe shi, borë, vesë, puse, çisterna, ujësjellës, pishina, banjo, përrenj, barka, peshkatarë, peshq e kështu me radhë. Tri dete janë në natyrë: liqeni i Tiberiades, apo i Xhenesaretit, Deti i Vdekur dhe Deti i Zunkthave (Deti i Kuq), por duket edhe Mesdheu, të paktën me thellësitë e veta.
Përmenden edhe lumenjtë e Lindjes së Afërt, si Tigri, Eufrati e Nili, por sidomos Jordani, lumi i Tokës Shenjte. Këto vende gjeografike përmbajnë në vetvete ngjarje historike vendimtare: të mendojmë për shembull, kalimin e lavdishëm të Izraelit mespërmes detit, gjatë ikjes nga persekutimi i faraonit, ose kalimin e Jordanit për të hyrë në tokën e premtuar, por pa dyshim, nuk duhet të harrojmë pagëzimin e Jezusit në ujin e këtij lumi. Uji sintetizon në vetvete vlera simbolike themelore, aq sa kthehet në shenjë të vetë Zotit e të Fjalës së Tij.
Kështu, profeti Jeremia, kur përshkruan mëkatin e Izraelit, që e ka braktisur Zotin, thotë se ai e la Hyjin “burim i ujit të gjallë, që të hapë për vete puse, pose të shporuara, që s’mund ta mbajnë dot ujët!” (2,13). Për këtë, besimtari që lutet, në atë margaritar poetik e mistik, që është Psalmi 42, e përshkruan etjen e shpirtit për Zotin, në këtë mënyrë: “Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj! Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë” (vv. 2-3). Edhe Amosi profet e pati parë ditën kur “etja për ujë” do të ishte ajo e “dëgjimit të Fjalës së Zotit” (8,11). Fjalë kjo, që Izaia profet e krahason me ujin, që “ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim” (55,10-11).
Por uji është edhe shenjë pastrimi për njeriun: “Do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj!”(Ez 36,25). Madje, uji është në themelin e njeriut të ri, që rilind përmes Sakramentit të Pagëzimit: “Kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit” i thotë Jezusi Nikodemit (Gjn 3,5). Ndërsa samaritanes, Jezusi i premton një ujë krejt të ndryshëm nga ai i pusit të Jakobit: “Kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap, kurrë më nuk do të ketë etje” (Gjn 4,14). Uji bëhet kështu shenja e fillimit të jetës së re për besimtarin, jetë në të cilën është dikuar Shpirti Shenjt. Kjo thuhet qartë në një frazë të famshme të Ungjillit sipas Gjonit: “Kush ka etje, le të vijë tek unë! Le të pijë kush beson në mua! Sikurse thotë Shkrimi Shenjt: ‘Lumenj uji të gjallë do të rrjedhin prej barkut të tij!’” (7,37-38).
Nga ana tjetër, uji përmban në vetvete edhe një aspekt të tmerrshëm, që ka të bëjë me gjykimin e Zotit: të mendojmë për shembull për përmbytjen universale, ose për detin, që në Bibël shihet si simbol i asgjësë, i kaosit, i vdekjes. Por, caku i fundmë i historisë është Jeruzalemi ri, që përshkruhet në Librin e Zbulesës: “Deti nuk është më… Atij që ka etje unë do t’i jap falas nga burimi i jetës…Ai ma tregoi lumin e ujit të jetës: ishte i pastër porsi kristali dhe buronte nga froni i Hyjit dhe i Qengjit” (21,1.6; 22,1). Ai Zot, që ia pati shuar etjen popullit të vet në shkretëtirë, do të ofrojë ujin që është “burim që rrjedh në jetën e pasosur” (Gjn 4,14).







All the contents on this site are copyrighted ©.