2010-06-24 16:15:29

Papa për vizitë në Qendrën “Don Orione” në Romë. Lutet me klaustralet domenikane për pastërtinë e shenjtërinë e Kishës


(24.06.2010 RV)RealAudioMP3 Shtatorja e e restauruar e Zojës së Monte Marios është një urë shprese ndërmjet qiellit e tokës e prej saj, do të marrim forcën për të përballuar shumë probleme të vështira të kohës sonë: me këto fjalë, Papa iu drejtua njerëzve që sot paradite e pritën në Qendrën “Don Orione” në zonën e Monte Marios në Romë, për të marrë pjesë në bekimin e shtatores së Zojës, restauruar e kthyer në vendin e vet pas dëmeve, që pësoi tetorin e kaluar për shkak të kohës së keqe. Më pas, Benedikti XVI shkoi për vizitë tek murgeshat domenikane të klauzurës në Kuvendin e Zojës Rruzare. Atyre, Papa u kërkoi të luten për pastërtinë në Kishë.


Burra e gra, të rinj e të moshuar, familje të tëra! Ishin me qindra, personat e ardhur nga të gjitha anët e Italisë në Qendrën “Don Orione” për bekimin e shtatores “Maria salus popoli romani” e për t’u lutur sëbashku me Benediktin XVI. Dashuri e dyfishtë, për Zojën e për Atin e Shenjtë, që u dëshmua edhe përmes këngëve e përshëndetjeve, sidomos kur Papa i ktheu zyrtarisht kryeqytetit italian këtë simbol të jashtëzakonshëm devocioni, që mendohej se ishte dëmtuar përgjithmonë. Kujtojmë se një stuhi në fillim të tetorit të kaluar e pati shkatërruar pjesërisht shtatoren, e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë më tragjike të Qytetit të Amshuar, siç theksoi Benedikti XVI:
“Shtatore, që është kujtesë e ngjarjeve dramatike dhe providenciale, të shkruara në historinë e në ndërgjegjen e qytetit. Vërtet, ajo u vendos në kodrën e Monte Marios në vitin 1953, për të plotësuar një ndjet popullor të Luftës II Botërore, kur ndeshjet dhe armët kërcënonin fatin e Romës”.
E pikërisht në ato çaste dramatike – kujtoi Papa – nga veprat romake të Don Oriones u mor nisma për mbledhjen e firmave të këtij ndjeti për Shën Marinë. Nënshkruan mëse një milion qytetarë:
“I nderuari Piu XII pranoi nismën e përkushtuar të popullit, që ia besonte veten shën Marisë dhe ndjeti u shqiptua më 4 qershor 1944, para figures së Zojës së Dashurisë Hyjnore. Pikërisht atë ditë, Roma u çlirua paqësisht”.
Për ta falenderuar Nënën Hyjnore, vazhdoi Ati i Shenjtë, orioninët, të cilët sot veprojnë edhe në Shqipëri, deshën që shtatorja të ishte e madhe dhe e vendosur sa më lart, nga ku të shihej tërë qyteti. Kështu, të gjithë do të mund ta nderonin Nënën e Zotit, e cila, e përvujtë në tokë, u ngrit në qiell sipër koreve të engjëjve:
“Maria, Nënë e Zotit dhe e jona, qoftë gjithmonë në krye të mendimeve e të dashurisë suaj, ngushëllim për shpirtrat, udhëheqje e sigurtë për vullnetin tuaj e mbështetje për hapat tuaja, frymëzuese bindëse e imitimit të Jezu Krishtit”.
Etapa e mëpasme e kësaj dite iu kushtua Zojës së Bekuar, ishte vizita në kuvendin domenikan të Zojës së Rruzares, po në Monte Mario. Këtu, duke u takuar me murgeshat e klauzurës, Benedikti XVI u ndal në vlerën e jetës kundruese:
“Shugurimi juaj në Zotin, në heshtje e në fshehtësi, bëhet i pasur me fryte jo vetëm për rrugën e shenjtërimit e të pastrimit personal, por edhe për apostullimin e ndërhyrjes, që bëni për Kishën mbarë, që të shfaqet e pastër dhe e shenjtë para Hyjit. Ju, që e njihni mirë efikasitetin e lutjes, eksperimentoni çdo ditë sa hir shenjtërimi mund të nxjerrë ajo për Kishën”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.