2010-06-24 16:15:43

Kard. Herranc në tryezën e rrumbullakët për Kryqin në vende publike: ta respektosh do të thotë të respektosh lirinë e kultit.


(24.06.2010 RV)RealAudioMP3 “Laicizmi i Evropës nuk duhet konceptuar dhe përjetuar në mënyrë të tillë sa të cënohen ndjenjat e rrënjosura në popull”. Kështu shprehet presidenti italian Xhorxho Napolitano në telegramin drejtuar tryezës së rrumbullakët me titull “Vlerat dhe të drejtat. Rasti i Kryqit.”, mbajtur dje pasdite në Romë. Në telegram presidenti Napolitano thekson se përsa i përket simboleve fetare brenda BE-ian, duhet që për to të vendos secili shtet në mënyrë të pavarur dhe jo Gjykata e Strasburgut.
Në debat morën pjesë edhe ministri i punës Sakoni, juristë dhe kryetari i Këshillit Papnor për interpretimin e teksteve ligjore, kardinali Hulian Herranc. Pjesëmarrësit vunë në dukje se fondamentalizmi laik kërkon që t’i imponohet shoqërisë duke u kthyer në ligj. Kërkon laicitet por do të imponohet si një fe e re, një fe asnjëjëse. Politikanë, juristë e prelatë të Kishës janë të një mendjeje se Kryqi në vendet publike nuk e dëmton laicitetin e shtetit, sepse vetë Krishti na ka mësuar se duhet t’i japim Çezarit atë çka është e Çezarit dhe Zotit atë çka është e Zotit. Por ka edhe më: kryqi është kthyer në simbol të vlerave njerëzore të shoqërisë ku jetojmë. Mjaft të kujtosh se organizata ndërkombëtare që merret me veprimtari humanitare quhet “Kryqi i kuq”.
Nga ana e tij, në fjalën që mbajti, Kard. Herranc theksoi se të respektosh Kryqin do të thotë të respektosh lirinë e kultit. Po, si duhet pritur sentenca e ardhshme e Gjykatës së Strasburgut që po shqyrton pikërisht çështjen e kryqit në vendet publike?
Të dëgjojmë Kard. Herranc:

Përgjigje: “Nga pikpamja kulturore, presim që të respektohen dy gjëra: fakti se qeveritë janë në shërbim të shoqërisë dhe se edhe organizatat mbikombëtare janë në shërbim të shoqërisë evropiane, pra, nuk mund të përpiqen të imponojnë një ideologji të caktuar. Në rastin tonë mbizotëron haptas një ideologji e tipit laik, e cila nuk mund t’i imponohet një shoqërie që, përkundrazi është thellësisht e krishterë, ose së paku besimtare. Koncepti i dytë është se do të merret parasysh fakti se kryqi nuk është vetëm një simbol fetar po edhe kulturor. Përndryshe, atëherë, do të kishim të bëjmë vetëm me dëshirën për të imponuar një lloj filozofie të fondamentalizmit laicist, në një kohë kur laicizmi pozitiv, i drejtë, është një gjë krejt tjetër. Sot duhet të tregohemi të kujdesshëm, mbasi ka një lloj totalitarizmi të diktaturës së relativizmit, siç ka thënë edhe Papa – totalitarizëm agnostik dhe totalitarizëm laik – që duan ta reduktojnë fenë në diçka tepër intime, që i përket vetëm ndërgjegjës së secilit, pa u shfaqur publikisht. Tashti, kjo nuk është vetëm kundër parimeve të Doktrinës së krishterë por është edhe kundër Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut, ku, në nenin 18 thuhet shprehimisht se e drejta për lirinë fetare, e drejta për ta shprehur lirshëm besimin fetar, është një e drejtë themelore e njeriut. Përpjekjet për eliminimin e manifestimit të fesë janë përpjekje që shprehin në vetevete një mendësi totalitare.”







All the contents on this site are copyrighted ©.