2010-06-24 18:26:07

Bruksel: paraqitet Raporti 2010 Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.


(24.06.2010 RV)U paraqit dje në Bruksel Raporti 2010 mbi Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Të dhënat dhe analizat që dalin nga dokumenti, hartuar nga specialistë të Kombeve të Bashkuara, dëshmojnë se ndërhyrjet e planifikuara, të mbështetura nga fonde të posaçme dhe të shoqëruara nga impenjimi politik, kanë çuar në përparime të vrullshme në disa zona. Nga ana tjetër, mungesa e përgjegjësisë dhe përkushtimi i pakët kanë krijuar probleme në shumë zona të tjera.
Në mikrofonin e radios sonë flet përgjegjësi i Zyrës së OKB-së në Bruksel Antonio Vixhilante:

Përgjigje: Padyshim, ka objektiva që janë me vonesë, por mesazhi i përgjithshëm i këtij raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, - që u paraqit në funksion dhe si dokument bazë për mbledhjen e shtatorit të udhëheqësve botërorë, - nuk është pesimist. Përkundrazi, tregon se me impenjim mund të arrihen pothuajse të gjithë objektivat për vitin 2015. Disa janë padyshim brenda fuqive tona, si ai, për shembull, i reduktimit të varfërisë apo uji i pijshëm që po ecën sipas planeve, me ritmin e parashikuar.

Pyetje: Sa ka ndikuar kriza botërore në arritjen ose jo të objektivave të Mijëvjeçarit?

Përgjigje: Shumë, mbase në mënyrë vendimtare. Kriza financiare e jo vetëm ajo, por edhe rritja e kostos, e çmimeve të ushqimeve, rritja e çmimit të karburanteve, të energjisë, bashkë me pasojat e ndryshimeve klimatike kanë shkaktuar një humbje prej 3-4 vitesh në ecjen përpara të objektivave të Mijëvjeçarit. Në veçanti, mendohet se numri i të varfërve, si pasojë e krizës do të rritet me 70 apo 80 milionë më shumë nga ç’ishte parashikuar. Nëse objektivi i reduktimit të varfërisë brenda 2015 do të na kishte lënë vetëm me 900 milionë vetë në varfëri të skajshme, tani për shkak të krizës, parashikojmë që ata të jenë 970 milionë. Po e njëjta gjë ndodh edhe për urinë: kishte një prirje pozitive për reduktimin e saj deri aty nga vitet 2005-2006, ndërsa tashti ka rritje të numrit të individëve që vuajnë nga uria, e që janë më shumë se një miliard, dhe kjo është e turpshme për njerëzimin.

Pyetje: Çfarë mund të urojmë për arritjen e këtyre objektivave në të ardhmen e afërt? Vetë kryetari i OKB-së Ban Ki Mun iu ka bërë thirrje kryetarëve të shteteve t’i përshpejtojnë politikat e bashkëpunimit...

Përgjigje:..se duhet të besojmë, se mund t’i përmbahemi impenjimeve pavarësisht nga kriza, se duhet të besojmë se investimi në zhvillimin nuk është vetëm një detyrë morale por edhe një interes reciprok në nivel ekonomik dhe shoqëror. Duhet, pra, t’i mbajmë zotimet e marra pavarësisht shqetësimeve në fushën fiskale, në treguesit makro-ekonomikë. Sipas meje ka ardhur koha të diskutojmë për marrëdhëniet ndërpartiake, në një lloj kuptimi, për t’i nxjerrur jashtë nga diskutimet politike disa sfida globale siç janë ndryshimet klimatike dhe objektivat e Mijëvjeçarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.