“Vlerat e drejtësia. Rasti i Kryqit”: temë e takimit që u mbajt sot në Romë.
(23.06.2010 RV)Lidhja ndërmjet vlerave e drejtësisë, ishte në qendër të diskutimit
në takimin, organizuar sot pasdite në Romë, pranë Sallës së Këshillit të Pasurive
Kulturore, me pjesëmarrjen e kardinalit Julian Herranz e të ministrave Bondi e Sakoni.
Në sfondin e diskutimit, çështja e pranisë së Kryqit në klasat e shkollave. Kujtojmë
se jemi në prag të seancës së parë të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut,
që do të mbahet më 30 qershorin e ardhshëm, lidhur me ankesën e një gruaje finlandeze,
me banim në Itali, që ka kërkuar të hiqet Kryqi nga shkollat. Në seancën e parë, gjykata
i dha të drejtë gruas, duke pasur parasysh se arsimi e edukata duhet të jenë laike.
Por Italia, e mbështetur nga 10 vende të tjera evropiane, paraqiti një ankesë për
prishjen e këtij vendimi, duke kërkuar t’i njihet e drejta për ta ekspozuar Kryqin
në vende publike. Në takimin e pasdites ishte i pranishëm edhe kryetari i lëvizjes
“Humanizmi i krishterë”, Klaudio Xukeli, i cili shprehet kështu, në mikrofonin
tonë:
Përgjigje: - Drejtësia, që nuk bazohet mbi kulturën
dhe mbi identitetin e një kombi, nuk mund të quhet drejtësi, por mbistrukturë racional-konstruktiviste,
siç do të shprehej Von Hayek i shkollës së Vienës. Prej këndej theksojmë se e drejta
apo drejtësia duhet të përkojë plotësisht me vlerat kulturore të një kombi. Ky është
edhe thelbi i debatit, që po bëjmë sot në këtë tryezë të rrumbullaktë, me ngjyrime
kulturore e juridike. Kryqi është simbol i identitetit tonë kulturor, që nuk bën asnjë
dallim ndërmjet laikëve e besimtarëve. Kemi parë, gjatë këtyre muajve, të radhiten
përkrah qeverisë e ta mbështesin kërkesën e saj, edhe personalitete politike, që kanë
deklaruar se nuk besojnë. E kjo, sepse Kryqi, e në përgjithësi, vlerat e krishtera,
janë pjesë përbërëse e identitetit të kombit tonë dhe e identitetit të mbarë Kontinentit
evropian.
Pyetje: - Kujtojmë se Gjykata Evropiane për të drejtat
e njeriut, bën pjesë në organizmin e Këshillit të Evropës, që ndryshon nga Bashkimi
Evropian. E Bashkimi Evropian, nga ana e tij, ka provuar, duke u shprehur në Parlament,
ta bindë Këshillin e Evropës se me simbolet fetare merret çdo shtet anëtar të bashkimit,
sipas identitetit të tij, prej këndej, nuk mund të ketë një drejtësi, që qëndron mbi
ta…
Përgjigje: - Po, në fakt kështu është, e për një kohë
të gjatë Bashkimi Evropian nuk ka qenë i bindur në se ankesa e Italisë duhej parë
si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Ndoshta pesha e disa shteteve, nuk po themi
laike, por që kanë prirje të ndryshme brenda vendit, e ka nxitur Bashkimin Evropian
të mbajë këtë qëndrim. Dihet, tashmë, nga të gjithë se vende si Franca, Gjermania,
Anglia e Spanja e shikojnë me vëmendje të posaçme ruajtjen e drejtpeshimit të pakicave
të brendshme e çështje të tjera të kësaj natyre…
Pyetje: - Një pyetje
tjetër, duke pasur parasysh se ju jeni kryetar i ”Humanizmit të krishterë”. A mund
të ketë një humanizëm të tillë, pa Kryqin?
Përgjigje:
- Sipas nesh, humanizmi nis pikërisht me Kryqin, nis me mesazhin ungjillor,
një mesazh që, siç kujtoi dje zëvendës-sekretari i qeverisë italiane, Xhani Leta,
duke paraqitur takimin, më pas bashkohet me vlera të tjera njerëzore, si ato të filozofisë
greke e të së drejtës romake e merr forcë prej tyre. E dimë qysh fëmijë se nuk është
rastësi që ardhja e Jezusit përkon me kulmin e lulëzimit të Perandorisë Romake e,
prej këndej, edhe me kulmin e kulturës juridike, tejet të pasur me vlera njerëzore.
Qëndrimi që po mbahet për Kryqin, tregon se ekziston rreziku që ligji të distancohet
nga shoqëria reale e, ç’është më keq, të çrrënjosë vlerat e vërteta nga një kontinent
i tërë. Fakti që dhjetë vende janë radhitur në favor të Italisë e katër të tjera
kanë dërguar letra, duke dëshmuar se bashkohen me qëndrimin italian, dëshmon se nuk
kemi të bëjmë me një problem që i takon vetëm një vendi, por që ka të bëjë me vetë
identitetin evropian!