2010-06-23 18:54:32

Papa në audiencën e përgjithshme: “Është e arsyeshme t’i besojmë Zotit, që na dëftohet, dhe dëshmisë së Apostujve".


(23.06.2010 RV)Feja e krishterë forcohet, duke pasur parasysh Mishërimin. Shpresa bëhet më e plotë, kur mendon se Biri i Zotit erdhi mes nesh, u bë një nga ne, për t’i përçuar njerëzve natyrën e vet hyjnore. Këtë pohoi sot paradite Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan.
Edhe sot Ati i Shenjtë vijoi të flasë për Shën Tomën e Akuinit, duke u pëqendruar kryesisht tek dashuria e krishterë, sipas teologut të madh. Dashuria e krishterë përtërihet, kur njeriu shikon se Krijuesi i gjithësisë bëhet krijesë. E shenjë më të dukshme dashurie se kjo, sigurisht, nuk mund të ketë.

Benedikti XVI e nisi katekizmin kushtuar Shën Tomës, duke kujtuar veprën monumentale të Akuinasit, “Summa Theologiæ (Përmbledhje e Teologjisë), në të cilën shpjegohet me qartësi e thellësi aftësia e mendimit njerëzor për të hyrë në misteret e fesë. Në këtë Përmbledhje, shpjegoi Papa, Shën Toma shpreh mendimin se ka tri mënyra të ndryshme të ekzistencës së Zotit:
Zoti ekziston në vetvete, është fillesa e fundi i të gjitha sendeve, prandaj të gjitha krijesat jetojnë e varen prej tij; pastaj Zoti është i pranishëm përmes Hirit të Tij, në jetën e në çdo veprimtari të të krishterit e të Shenjtorëve, sidomos; së fundi, Zoti është i pranishëm në mënyrë krejt të posaçme në vetjen e Krishtit, bashkuar realisht me njeriun Jezus e veprues në sakramentet, që burojnë nga vepra e tij shpërblyese”.
Duke folur për sakramentet, kujtoi Papa, Shën Toma ndalohet në mënyrë të veçantë tek Misteri i Eukaristisë, për të cilin pati një devocion të thellë. Autorët e lashtë të jetëshkrimeve të tij tregojnë se arrinte deri në atë pikë, sa ta afronte veshin tek Tabernakulli, si të donte të dëgjonte rrahjet e Zemrës hyjnore e njerëzore të Krishtit. Një devocion e një afërsi, që duhet të jenë të natyrshme për besimtarët. Prej këndej Papa na fton të gjithë:
Të marrim pjesë në Meshë, duke u përqendruar thellë në të, për të pasur fryte shpirtërore; të ushqehemi me Korpin e Gjakun e Krishtit, për t’u shujtuar vazhdimisht me hirin hyjnor! Të rrimë me kënaqësi e vazhdimisht sy për sy me Krishtin, në të Shenjtnueshmin Sakrament”.
Duke kujtuar mësimet e Shën Tomës në “Libërth mbi Simbolet e Apostujve”, Benedikti XVI u ndalua, në mënyrë të posaçme, tek vlera e fesë:
Përmes saj, tha, shpirti bëhet një me Zotin e në të zë e mugullon amshimi; jeta merr drejtim të sigurtë, e ne mund t’i kapërcejmë më lehtë tundimet”.
Feja shkon shumë përtej kufijve të mendjes, por ecja në këtë rrugë nuk na largon nga e Vërteta, që është Zoti:
“Atyre që mendojnë se feja është marrëzi, sepse të bën të besosh në diçka që nuk mund provohet nga shqisat, Shën Toma u jep një përgjigje shumë të hollësishme, duke provuar se ky është dyshim pa bazë, sepse mendja njerëzore është e kufizuar e nuk mund të njohë gjithçka”.
Është e pamundur, pohoi Papa, të përpiqesh për të gjetur të Vërtetën, pa fe:
“Vetëm në rast se do të mund t’i njihnim përsosurisht të gjitha sendet e dukshme e të padukshme, atëherë do të ishte vërtetë marrëzi t’i pranoje të Vërtetat e fesë, vetëm pse beson”.
E është e pamundur, siç vëren edhe Shën Toma, të jetosh pa i besuar përvojës së tjetrit:
E arsyeshme, prandaj, t’i besojmë Zotit, që na dëftohet e dëshmisë së Apostujve: ata ishin pak, të thjeshtë e të varfër, të dërmuar për shkak të kryqëzimit të Mësuesit të tyre; e megjithatë, shumë njerëz të ditur, të fisëm e të pasur, ia vunë shumë shpejt veshin predikimit të tyre e u kthyen në fenë e krishterë”.
Kemi të bëjmë, tha Papa, me një fenomen historikisht të mrekullueshëm, të cilit vështirë se mund t’i jepet përgjigje e arsyeshme, përveç asaj të takimit të Apostujve me Krishtin e Ngjallur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.