2010-06-22 16:18:39

Thirrja e ipeshkvijve francezë për të mëdhenjtë e botës


(22.06.2010 RV)Edhe ipeshkvijtë francezë u kanë bërë thirrje vendeve të G20-ës të veprojnë sa më shpejt në favor të një ekonomie, që t’u japë besim personave dhe familjeve të varfëruara për shkak të krizës. Në deklaratë, ipeshkvijtë paraqesin dy konsiderata. Së pari, shqetësimi për borxhin publik nuk mund t’u kalohet brezave të ardhshëm e viktimat e para të planeve financiare për të dalë nga kriza janë familjet në vështirësi. Prandaj, prelatët francezë u kërkojnë të mëdhenjve të Tokës t'i marrin seriozisht simptomat si kriza e banesave, papunësia, vështirësia e të rinjve dhe e personave me moshë më të madhe se 50 vjeç për të gjetur punë. Janë situata që çojnë drejt padrejtësisë dhe dhunës, theksojnë ata. Së dyti, ipeshkvijtë denoncojnë gjendjen konfuze në të cilën ndodhen tregjet financiare dhe pyesin nëse janë marrë vërtet masat për të mos përsëritur gabimet e mëparshme. Tashmë, theksojnë prelatët, loja financiare është zhvendosur në vendet me zhvillim të shpejtë. Jemi akoma në kohë të veprojmë, përfundojnë ipeshkvijtë, që ekonomia e financa të jenë në shërbim të të gjithëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.