Portreti i një Shenjti të madh jezuit, Shën Luigj Gonzagës, parë nga një rektor jezuit
Universiteti, atë Girlanda.
(21.06.2010 RV)Pajtor i të rinjve e posaçërisht i studentëve: kështu vijon
ta kujtojë, në rrjedhë vitesh e shekujsh, Kisha katolike, Shën Luigj Gonzagën, i cili
ndërroi kështjellën atërore e nderimet që i siguronte fisi i pushteshëm, me Shoqërinë
e Jezusit. Nga fisnik që ishte, u bë rregulltar jezuit. Sot, në Romë, u kujtua
me koncertin tradicional të Bandës së Ushtrisë italiane, në Universitetin Papnor Gregorian.
Tejet i pasur programi, me muzikë të kompozitorëve të shquar italianë, si Rosini,
Verdi e Belini. Por, të rikthehemi tek Shenjti i madh jezuit, portretin e të cilit
na e pikturon rektori i Universitetit Gregorian, atë Xhanfranko Girlanda, në
mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje:
- Shën Luigj Gonzaga duhet parë lidhur me rrethanat historike e ato familjare.
Rrethanat historike janë ato të shekullit XVI; familjare - ato të një familjeje fisnike
e të pushtetshme, e cila mund t’i hapte pinjollit të saj të gjitha rrugët, që të
çonin drejt pasurisë e lavdisë. E duhet menduar edhe se ai ishte djali i parë. Prej
këndej theksojmë se në personalitetin e tij spikat pikërisht fakti se ua ktheu shpinën
gjithë këtyre mundësive, për hir të një vlere, e cila për të ishte më e madhja. Iu
kundërvu, por pa zemërim, pushtetit, koprracisë, pasurisë, kënaqësive, të cilat ia
shtronte nën këmbë me shumicë, familja, ku kishte pasur fatin të lindej.
Pyetje:
- Ç’na transmeton sot figura e Shën Luigj Gonzagës?
Përgjigje: -
Ne sot jetojmë në një shoqëri, ku gjithçka bazohet tek suksesi, tek pushteti i plotë
i njeriut mbi gjithçka, që sot mund të jetë ai i teknikës, i shkencës, ndërsa asokohe
ishte i fisnikërisë. Sot i riu tundohet nga dëshira për t’i pasur të gjitha pasuritë,
të gjitha kënaqësitë e mishit e të gjakut, e dëshiron t’i ketë menjëherë, duke plotësuar
kështu çdo dëshirë, sido që të jetë. Lufton për t’u dukur, për të fituar, për të pasur
sukses. Por, a mund të ndërtohet kështu një shoqëri më e mirë për të gjithë? Madje
edhe për atë, që kërkon gjithçka e menjëherë? Si mund t’i kundërvihemi një prirjeje
të tillë? Me zemëratë apo me dëshmi? Duke ngritur krye kundër saj, apo duke i dëshmuar
me jetë vlerat thellësisht njerëzore, thellësisht të krishtera e thellësisht shoqërore?
Shën Luigji vdiq duke ndihmuar të sëmurët nga kolera, që bënte kërdinë në Romë: pikërisht
duke mbartur një nga këta të sëmurë, që po vdiste në rrugë të madhe, u sëmur edhe
ai vetë e edhe vdiq nga e njëjta sëmundje, në moshën 23 vjeçare. Kështu mund të themi
se jeta e tij u vu edhe në shërbim të shoqërisë, të ndihmës shoqërore, të varfërve,
të braktisurve të Romës.
Pyetje: - E shkurtër, jeta e Shën Luigj
Gonzagës, por me gjurmë të thella. La pas një thesar vlerash… Cila është, sipas jush,
vlera më e madhe?
Përgjigje: - Them se është vendosmëria për
të rrokur një ideal, që e bëri krejt për vete. Ideal i madh, jo abtsrakt, por që
bëhet konkret pastaj në jetën e tij, e cila perceptohet si diçka e madhe. E kjo gjë
e madhe, është Jezu Krishti. Jezu Krishti i mishëruar. Zoti me mish e gjak, jo pa
mish e pa gjak, si mund të duket edhe në një farë ikonografie.
Pyetje:
- Pse ikonografia gregoriane e kujton në mënyrë të posaçme Shën Luigjin?
Përgjigje:
- Sepse ishte nxënës i Kolegjit Romak. Ai hyri në noviciat në Shën Andrea
të Kurinales e pastaj kaloi në Kolegjin Romak për studimin e filozofisë e të teologjisë.
Pyetje:
- Si e ruan ateneu trashëgiminë e tij shpirtërore?
Përgjigje: -
Qëllimi ynë, të paktën, është formimi i gjithanshëm, natyrisht intelektual, por një
formin intelektual, që të përfshijë edhe formimin shpirtëror, formimin thellësisht
njerëzor; formimin, që mishëron fenë, duke pasur parasysh nevojat e Kishës e të shoqërisë
së sotme. Me dëshirën për të transmetaur ato vlera, mbi bazën e të cilave mund të
ndërtohet bashkëjetesa e vërtetë ndërmjet njerëzve, e jo shoqëria e pushtetit, e parasë,
e suksesit. Vetëm për disa, për pak, natyrisht!