2010-06-21 17:44:32

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: thirrje për paqe në Kirgizistan


(21.06.2010 RV)Pas Meshës, Papa u duk në dritaren e studios së tij për kremtimin e Engjëllit të Tënzot. Gjatë lutjes, bëri thirrje që të rivendoset sa më shpejt paqja e siguria në Kirgizistanin jugor, pas ndeshjeve të përgjakshme të këtyre ditëve. Viktimave të kësaj tragjedie të re Papa u shprehu afërsinë e tij shpirtërore:RealAudioMP3
“I ftoj të gjitha bashkësitë etnike të vendit të heqin dorë nga çdo provokim dhune; ndërsa i kërkoj bashkësisë ndërkombëtare të bëjë ç’është e mundur që ndihmat humanitare të arrijnë menjëherë tek popullsitë e dëmtuara”.
E, me që dje kremtohej Dita Botërore e refugjatit, kërkoi t’u njihen të drejtat të gjithë atyre, që detyrohen të ikin nga trojet e veta, duke braktisur gjithçka, për të shpëtuar jetën e arrijnë në mjedise shpesh herë krejt të ndryshme e aspak miqësore:
“Refugjatët dëshirojnë të mikpriten, t’u njihen dinjiteti e të drejtat themelore; njëkohësisht, duan t’i japin kontributin e tyre shoqërisë, që i mikpret. Të lutemi t’u realizohet dëshira, të respektohen e ta respektojnë bashkësinë në gjirin e së cilës jetojnë”.
Duke rikujtuar Meshën, që sapo kishte kremtuar, Benedikti XVI theksoi se të gjithë besimtarët janë të thirrur ta ndjekin Jezusin në rrugën impenjative të dashurisë, deri në kryq. Të marrësh mbi supe kryqin tënd, shtoi, do të thotë të impenjohesh për ta mundur mëkatin, që e pengon ecjen në gjurmët e Zotit, të përforcohesh në fe, posaçërisht përballë problemesh, vështirësish, vuajtjesh, si Edit Shtain, që e dëshmoi fenë e vet në kohë persekutimesh të egra, tha Papa, duke cituar Pajtoren e Evropës:
“Edhe në epokën e sotme, në botë ka shumë të krishterë që, të frymëzuar nga dashuria për Zotin, marrin mbi supe kryqin, si atë të provave të përditshme, ashtu edhe atë, që është vepër e barbarive njerëzore e që nganjëherë kërkon guxim, deri në flijimin e jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.