2010-06-21 17:45:13

Atë Lombardi për hetimet që kanë të bëjnë me kardinalin Sepe: kemi besim se gjendja do të sqarohet shpejt


(21.06.2010 RV)Kardinali aktual i Napolit, Kreshencio Sepe, ish-prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve (Propaganda Fide), akuzohet nga Prokura e Peruxhas në Itali për korrupsion në tenderat e të ashtuquajturave “ngjarje të mëdha”. Çështja e parë për të cilën ai duhet të përgjigjet para gjykatës, është shtëpia e dhënë për përdorim kreut të Mbrojtjes Civile Italiane, Guido Bertolazo, me të cilën kardinali deklaron se nuk është marrë deri në fund. Rasti i dytë ka të bëjë me shitjen e një pallati në Romë, politikanit Pietro Lunardi, me një çmim më të ulët se ai i tregut. Kardinali shpjegon se pallati në fjalë ishte i vjetër dhe në të banonin persona të tjerë, prandaj çmimi u ul për këtë arsye. I treti, punimet për sigurinë e një faqeje muri të vetë pallatit ku e ka selinë Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, një pjesë prej të cilave është paguar nga shteti italian. Edhe këtu, imzot Sepe deklaron se teknikët verifikuan përgjegjësinë e shtetit italian në dëmtimin e murit, pasi poshtë pallatit kalon metroja e Romës.
Për hetimet që po kryhen, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi bëri këtë deklaratë në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Para së gjithash, dëshiroj të them fjalë vlerësimi e solidariteti me kardinalin Sepe, në këtë çast të vështirë. Kardinali Sepe është një person, i cili ka punuar e punon për Kishën dhe për popullin, që i është besuar, intensivisht e bujarisht, prandaj ka të drejtë të respektohet e të vlerësohet. Natyrisht, urojmë të gjithë që situata të sqarohet plotësisht e me shpejtësi, të zhduken hijet, si nga vepra e tij, ashtu edhe nga institucionet kishtare. Kardinali Sepe – siç ka thënë vetë – do të bashkëpunojë për sqarimet e rastit. Duhet të mbajmë parasysh edhe aspektet procedurale dhe profilin juridik të marrëdhënieve korrekte ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë, që kanë të bëjnë me këtë episod.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.